Policia e Kosovës ka hartuar planin e sigurisë për zhvillimet e 16 shtatorit, kur pritet të shpallet aktgjykimi përfundimtar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Përmes një komunikate për media, PK-ja ka bërë të ditur se ka ndërmarrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve të parapara. Në kuadër të përgatitjeve, menaxhmenti i Policisë së Kosovës ka zhvilluar takime informuese dhe koordinuese me drejtuesit e departamenteve, divizioneve dhe drejtorive rajonale, ndërsa janë zhvilluar diskutime edhe me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë KFOR-in, EULEX-in, Ambasadën Amerikane, Zyrën e Bashkimit Evropian dhe OSBE-në. Sipas policisë, në një takim të mbajtur në Drejtorinë e Përgjithshme të PK-së është prezantuar plani i angazhimeve policore lidhur me zhvillimet e mundshme të 16 shtatorit. Njësitë policore do të jenë të angazhuara për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve, pa dallim, dhe për të mundësuar zhvillimin e qetë të aktiviteteve. Policia ka paralajmëruar se, varësisht nga aktivitetet dhe zhvillimet e mundshme, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët ku do të zhvillohen aktivitetet. Për këtë qëllim, janë paraparë edhe angazhime të njësive të trafikut për riorientimin e qarkullimit në rrugë alternative, në rast nevoje. Në njoftimin e saj, PK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë që aktivitetet të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të sigurt. Policia ka theksuar se planifikimi i masave të sigurisë për raste kur pritet pjesëmarrje e madhe e qytetarëve është pjesë e procedurave të rregullta policore dhe se siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktiviteteve mbeten prioritete të saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
