Klase shkollore

RKL: Jasharaj thotë se më mirë të dëmtohet viti shkollor për 400.000 nxënës sesa të mos realizohen kërkesat e SBASHK-ut!

Deklarata të papërgjegjshme, injorante  dhe anti pedagogjike të kryeparit të SBASHKU-ut,  nuk përkojnë me logjikën dhe dijen elementare të një njeriu të arsimuar dhe të edukuar.

Lufta injorante  që i ka shpallur arsimit shqip në Kosovës, kryepari i Sindikatës së quajtur SABASHK, është për keqardhje,  jo sepse një kryepar i tillë sillet sikur të jetë super kryetar i vendit, (mbase të tillë edhe e konsideron vetveten), por sepse kemi një shtet aq të dobët, aq të mefshtë e të mjerë, që nuk është në gjendje ta marrë në mbrojte arsimin, sot në kohën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës,  të cilin e kemi mbrojtur me mijëra vite burg,  në kohën e regjimit okupator kriminal,  por e kemi mbrojtur edhe me gjakun e sa sa mësimdhënësve dëshmorë e martirë të Kosovës.

Përse atëherë Qeveria e Kosovës e ka “shpikur”  Ministrinë e Arsimit, kur ajo është e  pafuqishme për të ndërmarrë një veprim ligjor, që mbron dijen e nxënësve nga injoranca nga teket e individëve,  që kanë probleme mbase edhe psikike dhe të cilët duhet dërguar në shërim psikiatrik.

Por fatkeqësia e gjithë kësaj ndeshtrashe janë vetë arsimtarët parazitë,  të cilët në heshtje aprovojnë vendimet anti arsimore  të sindikatës së tyre, me qëllim për të përfituar ditë pushimi mbi kurrizin e nxënësve të tyre. Ky është turpi që nuk do të pastrohet kurrë. Është për keqardhje por ky është një turp nga i cili herdo kur ata do të neveritën.

Dhe a ka neveri më të madhe se sa të dëgjosh deklaratat injorante të kreut të Sindikatës i cili shprehet për Kosovapress se “ …Aq më tepër e  përpara e shumë janë thirrur e në të drejtat e nxënësve, unë po e tham, pikërisht këtu shkelen të drejtat ë fëmijëve, ngase edhe me kalendarin shkollor për vitin 2019 është paraparë ky pushim, pasi përfundon një etapë mësimore. Fëmijët e meritojnë një pushim”, thotë Rr. Jashari.

Sipas logjikës të këtij njeriu nxënësit në shkollë primare kanë ditët e pushimit dhe jo të mësimit. A nuk është injorancë kjo, a nuk është i papërgjegjshëm ky konstatim në esencë kundër arsimit kombëtar?

I pyetur se a po u mohon SBASHK-u nxënësve të drejtën për të përmbushur plan programin mësimor, ai thotë se “më mirë të dëmtohet ky vit shkollor në mënyrë që kërkesat e SBASHK-ut të merren parasysh”. Madje ky  Jasharaj paska shpikur me mendjen e tij se praktika e kompensimit të orëve u dashka ndërprerë përgjithmonë, pasi që po humbka kuptimi i grevave, të cilat sipas rezonit të tij qenkan më primare sesa edhe vetë jeta e njeriut. Këto fiksime donkishoteske, kjo mendësi e retarduar e individëve po paguhet tepër shpejtë nga tërë një brez shkollarësh.

Kjo anarki në arsimin tonë kombëtar po na qon drejt ambisit dhe nuk është një Rrahman Jashar dhe disa si ai, që kanë marrë në dorë arsimin edhe ashtu të degraduar në vendin e fundit në botë, por janë mësimdhënësit parazitë dhe kjo zbulon para nesh ndërgjegjen e tyre të vrarë, papërgjegjësinë dhe mungesën e dinjitetit të arsimuesit.

Kjo është fatkeqësia jonë kombëtare dhe jo një kryepar i vetëshpallur i një sindikate që do të mbahet mend për këto veprime të pamatura, të pandërgjegjshme, të papërgjegjshme dhe në esencë antikombëtare.

 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …