Organizata ERA njofton se në bashkëpunim me qytetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile, sot do të zhvillojë protestë paqësore në Deçan kundër hidrocentraleve të paligjshme në këtë komunë. “Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në fillim të këtij viti ka shkyç linjat e transmetimit në Lumbardh II në pronësi të Kelkos për shkak se ka vepruar në mënyrë të paligjshme dhe kishte dhënë 90 ditë për HEC-un Deçan dhe Belaja për të marrë dokumentacionin e duhur ose ata do të jenë të detyruar të ndërmarrin veprimet ligjore për ndërprerjen e prodhimit dhe shkyçjen gjeneratorëve HC Belaja dhe HC Deçan nga Rrjeti i Transmetimit. Kaluan 90 ditë dhe ZRRE i dha edhe 90 dite tjera kompanisë, prandaj me anë të protestës ne i bëjmë thirrje ZRRE-së që të ndërpresë operimet ilegale të HEC-it Deçan dhe Belaja gjithashtu!”, thuhet në reagimin e organizatës ERA. Protesta do të zhvillohet përpara HEC Deçan, te hidrocentrali i parë tek ura që të dërgon për te Gushavci.
