Dren Sherif Brahimaj: Arrestimet e udhëheqësve eminent të UÇK-së na bëjnë të dyshojmë në drejtësinë evropiane

Dren Sherif Brahimaj: Arrestimet e udhëheqësve eminent të UÇK-së na bëjnë të dyshojmë në drejtësinë evropiane

(Fjalim i mbajtur me rastin e organizimit të debatit nga veteranët e Dukagjinit, rreth problemeve, arrestimeve dhe përndjekjeve të luftëtarëve të lirisë)

Të nderuar panelistë, zonja dhe zotërinj!

 Lufta e fundit në Kosovë mbaroj në qershorin e 1999, ku populli shqiptar arriti të fitojë lirinë nga okupimi i egër dhe shekullor serb. Kosova arriti të bëhej ndërgjegjja e munguar europiane e luftërave në Kroaci e Bosnjë dhe Hercegovinë. Bombardimi i caqeve të ushtrisë Jugosllave nga aeroplanët e aleancës euro-atlantike nënkuptonte edhe aleancë me UÇK-në dhe se rruga e saj ishte rruga e drejt të cilën e ndoqi me nder dhe krenari populli shqiptar për të larguar zgjedhën serbe një herë e për gjithmonë.

Dëmet njerëzore përllogariten në rreth 13.000 të vrarë, më shumë se 1 mijë e 600 të zhdukur diku rreth 20.000 gra e burra të dhunuar nga ushtria dhe policia serbe. Kurse ato materiale në miliarda euro.

Dhe prapë se prapë janë pikërisht shqiptarët që detyrohen të themelojnë Gjykatën Speciale e cila kinse thuhet se ka për qëllim gjykimin e krimeve kundër njerëzimit të kryera nga UÇK-ja. Kjo gjykatë në kuptimin e mirëfillt të fjalës është gjykatë një etnike dhe si e till është e papranueshme dhe paraqet turpin e sistemit të drejtësisë në Evropën e shekullit XXI. Periudha e inkuizicionit ka mbaruar me Mesjetën.

Nëse dikush ka kryer vrasje, dhunime, masakra e gjenocide atëherë dihet mire kush është krimineli dhe agresori, gishtin duhet drejtuar nga Serbia e cila me naivitetin e saj dhe në sy të të tjerëve edhe sot tenton të shfajëson vetveten, por shqiptarët dhe Evropa e civilizuar duhet t’ia tregojnë vendin agresores së Ballkanit në krye me kasapin Milloshevic.

Arrestimet e udhëheqësve eminent të UÇK-së na bëjnë të dyshojmë në drejtësinë Evropiane. Gjersa kriminelët e vërtet që dihen me emër dhe mbiemër sorollatën të lirë rrugëve të Beogradit. Masakra e Lybeniqit, Qyshkut, Husajve, Reçakut, Mejës, Izbicës, Rezallës, Dubravës, Krushës së Madhe, Rugovës së Hasit, Studimes e shumë  të tjera janë dëshmi e pakontestueshme se Serbia është fajtore për krimet e kryera kundër popullatës shqiptare të Kosovës.

Ajo që sot po quhet paqe e përhershme shqiptaro-serbe arrihet atëherë dhe vetëm atëherë kur qeveria dhe populli serb të kërkojnë falje për krimet shekullore që kanë bërë mbi popullin shqiptar. Rasti i një prej masakrave më famëkeqe të historisë evropiane është ajo e Tivarit dhe nuk do lejojmë që historia e dhimbshme e shqiptarëve e çfarëdo kohe të harrohet. Serbët dhe Serbia sikur nuk po duan të shkëputen nga e kaluara e tyre e errët dhe primitive.

Ushtarët, eprorët, komandantët e UÇK-së e po ashtu edhe populli shqiptar janë të lumtur dhe krenar që patën dhe ishin pjesë e një ushtrie si UÇK-ja me tipare, norma dhe ligje perëndimore.

Lufta e UÇK-së ishte thjesht luftë për liri!

Dren Brahimaj është djali i dëshmorit, Sherif Brahimaj

 

Kontrolloni gjithashtu

Ndërsa Shqipëria ecën drejt një epoke të re zhvillimi, ka ende forca politike që duket se nuk mund të jetojnë pa krizën. Sa herë ndërtohet një rrugë, ata shohin një arsye për protestë. Sa herë shtohet numri i turistëve, ata kërkojnë një arsye për tension. Sa herë Shqipëria afrohet më pranë Evropës, ata shpallin fundin e saj. Është sikur e ardhmja e vendit t'i shqetësojë më shumë sesa e kaluara e tij. Organizatorët e protestave të përhershme në Tiranë paraqiten si "zëri i popullit" nga Prishtina,Tetova e "diaspora", por shpesh ngjajnë më tepër me zërin e pakënaqësisë së manipuluar dhe në thelb të paguar nga qarqe që janë kundër përparimit të Shqipërisë. Programi i tyre politik duket i përmbledhur në një fjali të vetme: të kundërshtojnë çdo gjë që ndërtohet. Për ta, suksesi është problem, sepse suksesi ua rrëzon narrativën e katastrofës. Në anën tjetër qëndron Edi Rama, figura që përkrahësit e tij e shohin si arkitektin e transformimit modern të Shqipërisë. Nën drejtimin e tij, vendi ka fituar një profil më të lartë ndërkombëtar, ka njohur rritje të turizmit dhe ka avancuar në procesin e afrimit me Bashkimin Evropian. Për mbështetësit e tij, Rama përfaqëson vizionin e një Shqipërie të re që nuk rri peng i konflikteve të së shkuarës, por synon të konkurrojë në Evropën e shekullit XXI. Satira e madhe e politikës shqiptare është se ata që flasin më shumë për patriotizëm,që shpesh e paraqesin Shqipërinë si një vend pa shpresë, ndërsa ata që akuzohen çdo ditë vazhdojnë të ndërtojnë, të promovojnë dhe të përfaqësojnë vendin në arenën ndërkombëtare. Patriotizmi nuk është të shpallësh katastrofë në çdo konferencë shtypi; patriotizmi është të krijosh kushte që qytetarët të jetojnë më mirë dhe që vendi të ecë përpara. Sot Shqipëria nuk ka nevojë për profetë të rrënimit. Ka nevojë për ide, për investime, për stabilitet dhe për besim në vetvete. Ka nevojë për njerëz që ndërtojnë ura, jo barrikada; që hapin horizonte të reja për zhvillim ekonomik, jo plagë të reja politike. Historia shpesh i ndan aktorët politikë në dy kategori: ata që ndërtojnë dhe ata që pengojnë. Mbështetësit e Edi Ramës besojnë se ai do të kujtohet si pjesë e brezit që kërkoi ta modernizonte Shqipërinë, ndërsa kundërshtarët e tij rrezikojnë të mbeten në kujtesë si njerëzit që luftuan më shumë si kundërshtarë të zhvillimit të Shqipërisë, sesa për të ardhmen e vendit. Selajdin Abdullahu 07.07.2026

Selajdin Abdullahu: Protestat në Tiranë, kundër zhvillimit të Shqipërisë!

Ndërsa Shqipëria ecën drejt një epoke të re zhvillimi, ka ende forca politike që duket …