Me nderime ushtarake u varros kapteri, Baki Ejupi në fshatin Sekiraqë të Besianës

Me nderime ushtarake u varros kapteri, Baki Ejupi në fshatin Sekiraqë të Besianës

Dje në varrezat e fshatit Sekiraqë të Podujevës, nga familjarët, miqtë, bashkëluftëtarët, oficerët dhe nënoficerët e FSK-së, i është dhënë lamtumira e fundit nënoficerit të FSK-së, Kapterit Baki Ejupit, pjesëtar i Brigadës së Reagimit të Shpejtë në Batalionin e Tretë në Mitrovicë, i cili pas një ataku kardiak, ndërroi jetë në krye të detyrës.

Në kazermën „Minatori“ në të cilën ka shërbyer me përkushtim Bakiu, nga ora 1100-1200, para arkivolit me trupin e tij, u mbajtën homazhet. Në homazhe dhe varrim ishin të pranishëm; ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, zëvendësministrat: Burim Ramadani dhe Kadri Kastrati, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, gjeneralët: Gëzim Hazrolli, Zymer Halimi, Fadil Hadërgjonaj, Jeton Dreshaj, Naim Haziri, si dhe oficerë, nënoficerë të FSK-së, policë të Kosovës, kolegë dhe bashkëluftëtarë të tij.

Kortezhi ka vazhduar për në fshatin e lindjes në Sekiraqë të Podujevës ku dhe është varrosur me nderime ushtarake, nga një numër i madh i qytetarëve nga e gjithë Kosova, miq e familjarë.

Për herë të fundit, nga i ndjeri është ndarë komandanti i Brigadës së Reagimit të Shpejtë gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj, i cili në fjalën e tij tha: ,,Janë të rrallë njerëzit të cilët tërë jetën ja kushtuan atdheut. I tillë ishte kapteri Baki Ejupi, i cili që në fillimet e hershme ju bashkua luftës së UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, duke luftuar me trimëri dhe pa u ndalur deri në çlirimin e plotë të Kosovës, për të vazhduar në TMK dhe pastaj në FSK, si pjesëtar i Batalionit të Tretë të Reagimit të Shpejtë në Mitrovicë.”

 Gjenerali Hadërgjonaj përkujtoi edhe shumë aktivitete dhe iniciativa që kapter Ejupi kishte ndërmarrë në njësinë e tij, shumë trajnime si brenda dhe jashtë vendit, shumë lëvdata e mirënjohje për punën dhe angazhimin e tij.

„Do të ndihemi krenarë që e patëm në mesin tonë, që bashkërisht ndërtuam themelet e sigurta të ushtrisë së Kosovës, për të cilën Bakiu punoi pareshtur gjithë jetën“,- tha në fund gjenerali Hadërgjonaj.

Fjalë lamtumire për kapter Bakiun mbajtën edhe shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  Kuvendi Komunal i Podujevës, përfaqësuesi i fshatit  Sekiraqë si dhe vajza e tij, Lirona. Nga ta u vlerësua lart puna, angazhimi dhe sakrifica e Bakiut qysh në kohën e luftës dhe tani në kohën e paqes në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve të tjerë.

Gjithashtu nga folësit u vlerësua lart shpirti i tij human, gjithmonë në ndihmë të njerëzve në nevojë dhe në shërbim të gjithë shoqërisë në çdo fushë të jetës.

Në fund të ceremonisë, mbi varrin e kapter Baki Ejupit u vendosën kurora të shumta lulesh nga oficerët dhe nënoficerët e FSK-së, shokët, miqtë, bashkëluftëtarët dhe qytetarët e ardhur  nga të gjitha viset shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Tri ditë para zgjedhjeve, partitë intensifikojnë fushatën me tubime në mbarë Kosovën

Me vetëm tri ditë të mbetura deri në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, partitë politike …