PDK: Do t’i zbardhim të gjitha abuzimet me privatizimet e pronave publike dhe përkatësinë politike të tyre

PDK: Do t’i zbardhim të gjitha abuzimet me privatizimet e pronave publike dhe përkatësinë politike të tyre

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Gazmend Bytyçi dhe Sejdi Hoxha, kanë mbajtur sot një konferencë për media, përmes së cilës ka njoftuar më gjerësisht për punën e komisionit parlamentar për privatizimet, themelimin e të cilit e kishte iniciuar PDK-ja në korrik të këtij viti.

Deputetët Bytyqi dhe Hoxha kanë paralajmëruar se do të nxjerrin me emër dhe mbiemër të gjithë abuzuesit e pronave publike në Kosovë dhe përkatësinë e tyre politike.

“Për një kohë të gjatë Partia Demokratike e Kosovës është akuzuar padrejtësisht për abuzime  dhe përfitime të paligjshme me procesin e privatizimit. Madje shumë prej këtyre akuzave kanë ardhur pikërisht nga partitë që më së shumti kanë shfrytëzuar këtë proces për interesa të ngushta të zyrtarëve të saj.”, ka thënë deputeti Bytyçi.

“Prandaj, ne si PDK kemi nisur këtë proces që synon të zbardhë keqpërdorimet e mundshme që mund të kenë ndodhur në këtë proces, si dhe t’i informojmë drejtë të gjithë qytetarët e vendit për çdo lidhje politike që kanë pasur personat të cilët kanë privatizuar asetet shtetërore të vendit tonë.”, ka shtuar deputeti Hoxha.

Komisioni ka përzgjedhur edhe 4 ekspertë profesionalë të cilët do ta ndihmojnë punën profesionale të tij.

Për intervistim në këtë komision janë ftuar ish ministra, drejtorët e bordeve dhe drejtorët ekzekutiv të Bordit të Privatizimit, si dhe përfaqësuesit e UNMIK-ut të cilët kanë qenë pjesë e bordittë AKP-së.

Në listën e dëshmitarëve janë propozuar që të jenë edhe ish kryetari i Bordit të AKM-së, Andy Bearpark dhe drejtorët menaxhues, Herbert Schmidt, Yergen Mendricki dhe Jasper Dick.

 

Fjalimi i plotë  i deputetëve të PDK-së

 

Siç edhe jeni të informuar, me iniciativën e Partisë Demokratike të Kosovës, Kuvendi i Kosovës ka  themeluar  Komisionin Hetimor Parlamentar i cili në fushëveprimin e tij ka për qëllim që  të hetojë dhe zbardhë të gjitha privatizimet e bëra në Kosovë.

Për një kohë të gjatë Partia Demokratike e Kosovës është akuzuar padrejtësisht për abuzime  e përfitime të paligjshme me procesin e privatizimit. Madje shumë prej këtyre akuzave kanë ardhur pikërisht nga partitë që më së shumti kanë shfrytëzuar këtë proces për interesta të ngushta të zyrtarëve të saj.

Prandaj, ne si PDK nisëm këtë proces që synon të zbardhë keqpërdorimet e mundshme që mund të kenë ndodhur në këtë proces, si dhe t’i informojë drejtë të gjithë qytetarët e vendit për çdo lidhje politike që kanë pasur personat të cilët kanë privatizuar asetet shtetërore të vendit tonë.

Ky komision do të bëj cmos që të nxjerrë të vërtetën në dritë dhe gjatë punës që do të bëjë do të publikohen me emër dhe mbiemër të gjithë ata persona apo grupe interesi të cilët kanë përfituar jashtëligjshëm apo kanë abuzuar me pronën  e shtetit.

Ne jemi të bindur që opinioni publik ka për t’u befasuar kur të zbulojë se privatizuesit më të mëdhenjë të ndërmarrjeve publike apo shoqërore janë pikërisht ata persona të cilët kan kritikuar në publik më së shumti procesin e privatizimit.

Pra abuzues që kanë zgjedhur sulmin si instrumentin më të mirë të mbrojtjes për të fshehur abuzimet e tyre.

Si komision jemi duke bashkëpunuar shumë ngushtë me te gjitha palët e interesit  të përfshira në këtë proces, për të qenë sa më transparent me mediat dhe publikun në gjitha takimet e këtij komisioni janë te hapura.

Qëllimi i ynë që të bëjmë një hetim të thellë dhe gjithëpërfshirës në mënyrë që para qytetarëve t’i prezantojmë të gjithë ata individë apo grupe të interesit të cilët kanë abuzuar me pronat publike të shtetit të Kosovës.

Si komision duam të bashkëpunojmë shumë ngushtë e me qytetarët dhe me të gjitha palët e interesit për të kërkuar të vërtetën.

Ftojmë të gjithë që dëshmitë, shqetësimet apo denoncimet e tyre rreth privatizimit t’i dërgojnë përmes formës fizike apo përmes adresës elektronike që tani më është e hapur.

Komisioni ka përzgjedhur edhe 4 ekspertë profesionalë të cilët do ta ndihmojnë punën e komisionit.

Komisioni ka hartuar një listë të dëshmitarëve të cilët janë duke u ftuar për intervistim, në këtë listë janë përfshirë ish-Ministra të cilët sipas detyre zyrtare kanë qenë pjesë e Bordit të privatizimit.

Për intervistim janë ftuar edhe drejtoret e bordeve dhe drejtoret ekzekutiv të këtij institucioni, si dhe përfaqësuesit e UNMIK-ut të cilët kanë qenë pjesë e Bordit të AKP-së. Tashmë kemi filluar intervistimin e një pjese të dëshmitarëve.

Për të qenë sa më të saktë e të plotë si PDK do t’i propozojmë komisionit që lista e dëshmitarëve të rritet në mënyrë që të kemi sa më shumë informata rreth këtij procesi. Sot po japim edhe disa propozime konkrete që në listën e dëshmitarëve të përfshihen:

Ish- Kryetarin e Bordit të AKM-së  Andy Bearpark (Head of EU Pillar IV – UNMIK), si dhe ish drejtorët menaxhues :

Herbert Schmidt, Yuergen Mendricki dhe Jasper Dick,

Shumë shpejtë do të prezantojmë edhe dëshmitarë të tjerë vendor të cilët mundë të na sjellin informacione për procesin e privatizimit në Kosovë.

PDK mbetet e përkushtuar dhe do të punoj fuqishëm në luftimin e dukurive negative të cilat janë pengesë e zhvillimit të vendit, si dhe krijimit të një perspektive më të mirë të rinisë tonë, prandaj edhe çështjen e privatizimit do ta qojmë deri në fund, duke nxjerrë me emër dhe mbiemër abuzuesit e pronave publike dhe përkatësinë e tyre politike.

Deri më tani kemi pranuar dhjetëra dëshmi nga qytetarët të cilat do t’i trajtojmë në takimet e komisioni.

Ndërkaq ftojmë dhe mirëpresim të gjithë qytetarët që janë të interesuar të kontribuojnë në këtë hetim për ta bërë sa më efikas e transparent.

Kontrolloni gjithashtu

Nuk është e lehtë të thuash lamtumirë. Nuk është e lehtë të shkruash ngushëllime për një bashkëveprimtar, koleg, mik e mësues të dalluar, i cili tërë jetën ia kushtoi gjuhës shqipe, kulturës kombëtare dhe Atdheut. Mustafë Krasniqi ishte një nga ata njerëz që nuk e shihnin veprimtarinë atdhetare si një detyrë të çastit, por si një mision të përjetshëm. Ai punoi dhe veproi me një qëllim të qartë: që gjuha shqipe të ruhej, të kultivohej dhe t’u përcillej brezave të rinj; që kultura jonë të mbijetonte e të forcohej larg vendlindjes; dhe që shqiptarët t’i shihte të bashkuar rreth vlerave tona kombëtare, në hijen e flamurit kuqezi. Mustafa ishte edhe poet. Ai e deshi Atdheun me gjithë qenien e tij dhe këtë dashuri e shprehu në vargje, në këngë, në fjalë dhe në veprimtarinë e tij të përditshme. Jam i bindur se, po të kishte pasur mundësinë, do të kishte shkruar ende shumë për Kosovën, për tërësinë e Shqipërisë, për gjuhën, kombin dhe flamurin. Do të kishte vazhduar të ëndërronte për një të ardhme më të mirë dhe për realizimin e ëndrrave të dëshmorëve të kombit. Ai ishte një njeri i palodhur, plot ide, i gatshëm për bashkëpunim dhe me një vullnet të jashtëzakonshëm për të kontribuar. Ishte një bashkëveprimtar që gjithmonë sillte energji, përkushtim dhe besim se edhe përballë vështirësive mund të bëhej më shumë për gjuhën dhe arsimin shqip. Në rrugëtimin tonë të përbashkët patëm mundësinë të ndërmarrim shumë nisma. Nismat që i ndërmorëm, së bashku, kishin një qëllim të përbashkët: ta forconim gjuhën shqipe, ta ruanim identitetin kombëtar dhe t’ua përcillnim brezave të rinj dashurinë për gjuhën, për kulturën dhe për Atdheun. Pikërisht në këtë mision, Mustafa dha një pjesë të madhe të vetes. Ai dha shumë dhe nuk kërkoi asgjë në këmbim. I dha Atdheut kohën, dijen, energjinë, fjalën, vargun dhe, mbi të gjitha, dashurinë e tij të pakushtëzuar. Sot, kur po i themi lamtumirë, dhimbja është e madhe edhe për faktin se e dimë se ai kishte ende shumë për të thënë dhe shumë për të bërë. Njeriu që këndoi aq shumë për flamurin, gjuhën, kombin, Kosovën dhe Shqipërinë, sot na mbetet në kujtim përmes fjalës së tij, vargjeve të tij, këngës së tij, punës së tij dhe gjurmës së pashlyeshme që la te njerëzit me të cilët bashkëpunoi. Mustafa nuk do të jetë më fizikisht mes nesh, por do të vazhdojë të jetë i pranishëm në kujtimet tona, në veprën e tij, në vargjet që la pas dhe në rrugën e arsimit shqip, së cilës iu përkushtua me gjithë qenien e tij. I përjetshëm qoftë kujtimi për mësuesin, poetin, kolegun, mikun dhe veprimtarin e palodhur të arsimit shqip, Mustafë Krasniqi!

Prof. dr. Vaxhid Sejdiu: Në kujtim për bashkëveprimtarin, kolegun, mësuesin dhe pishtarin e arsimit të gjuhës shqipe – Mustafë Krasniqi

Nuk është e lehtë të thuash lamtumirë. Nuk është e lehtë të shkruash ngushëllime për …