​Besnik Tahiri

Besnik Tahiri: Qeveria nuk po lë gur pa lëvizur për ta dobësuar klasën e mesme të shoqërisë

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë sot se Qeveria nuk po lë gur pa lëvizur që këtë shtresë ta dobësojë ose ta eliminojë si të tillë. Tahiri ka përmendur disa shembuj, që sipas tij tregojnë se Qeveria po e lufton shtresën e mesme përmes rritjes së çmimit të energjisë elektrike, shpërndarjen e 100 eurove me kritere diskriminuese dhe së fundmi me kundërshtimin për të tërhequr mjete nga Trusti. Çmimin e rrymës e ngriti pikërisht në kurriz të kësaj shtrese, i liroi korporatat e mëdha nga ngritja e çmimit, ua subvencionoi ngritjen shtresës tjetër që nuk jetojnë në zonën urbane. Shpërndau ndihma gjithandej Kosovës me kritere skajshmërisht diskriminuese, duke e përjashtuar sërish shtresën e mesme, që marrin pagë mbi 1000 euro, e që në shumicën e rasteve kanë vetëm një të punësuar në familje. Ndërkohë, që me vendimin e Qeverisë, hipotetikisht mund të përfitojnë ndihma dy bashkëshortët që marrin nga 950 euro pagë, e pse jo edhe ndonjë fëmijë i tyre në emër të statusit të studentit. Tani goditja fatale kësaj shtrese po i jepet duke mos votuar Ligjin për Trustin, duke ua pamundësuar shfrytëzimin e mjeteve të tyre dhe arsyetimi banal i tyre është se nga ky ligj përfitojnë të pasurit, tha Besnik Tahiri.

 

Kontrolloni gjithashtu

Qeveria e Kosovës është nën presion për miratimin e Projekt -Statutit të Asociacionit për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Gjendja dhe rrethanat politike në Kosovë lidhur me Projekt-Statutin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe …