Edi Rama

Edi Rama nuk e ka vetëm hallin e Bullgarisë, por shumë më tepër të Greqisë, e cila i kërkon të pamundurën, përmes BE-së

Derisa Ukraina po digjet dhe po rrënohet, vendet e BE-së dhe NATO-ja këqyrin punët e veta. Mbështesin verbalisht Ukrainën, i dërgojnë armë e municion, dollarë e euro dhe i thonë qëndro si të mundesh, tekefundit merru vesh me Rusinë dhe “epja Cezarit atë që i takon”.

Ndërkohë politikanët shqiptarë të tri qendrave: Tiranë, Prishtinë Shkup, që nuk bëhen dot një faktor, hallin më të madh të mundshëm e kanë integrimin në BE, edhe pse është pikërisht kjo BE-ja që u vë kushte deri të pamundshme, dhe që nuk ka treguar as tregon fare respekt e ndjeshmëri për shqiptarët, sepse ashtu sikur i ka trajtuar në të kaluarën edhe tani i trajton, si mercenarë fetarë, të cilët nuk po tregojnë gatishmëri të rikonvertohen dhe të ndahen përgjithmonë nga e kaluara e tyre. Këtë fakt fondamental të kodit politik të nënkuptuar të  BE-së, nuk e pranojnë politikanët tanë, madje të shpallim primitiv po u the kështu.

Pse kaq shumë politikanët shqiptarët e duan BE-në dhe Evropën përgjithësisht?

Në radhë të parë ata e duan Evropën, për të qëndruar në pushtet me premtime për aderim në atë të cilën e konsiderojnë “parajsë tokësore”, sikur e paraqesin me imagjinatat e tyre, aspak realiste. Anëtarësimi në BE, sipas tyre  është kulmi, përtej së cilët nuk ka ku të shkohet. Jo se ata i besojnë “Evropës Plakë” të Gjergj Fishtës, por sepse ky premtim pa fund është diga e cila i mbanë në pushtet dhe asgjë më shumë, sepse kështu ka ndodhur që 20 vjet dhe asgjë nuk ka ndryshuar, as pritet të ndryshojë, të paktën jo të favor të Kosovës, Shqipërisë,  madje edhe Maqedonisë, për shkak të shqiptarët përbëjnë më shumë se dy të tretat e numrit të përgjithshëm të banorëve, të këtij shteti të krishterë ortodoks, sllav.

Duke e ditur dhe duke e kuptuar me kohë këtë qëllim, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vazhdimisht ka treguar rezerva, por edhe ka kritikuar BE-së, madje njëherë edhe ka kërcënuar me kërkesë të lidhjes së aleancave të tjera, por  të gjitha këto kanë rënë në vesh të shurdhër. Kjo ka bërë që ai të jetë edhe ideator i një nisme për një “mini BE” ballkanike,  për gjashtë shtetet e rajonit,  të cilat Evropa nuk i do në radhët e veta, por i mbanë me premtime, pa iu bërë vënd dhe pa caktuar qoftë edhe një afat të vetëm, për pranim apo refuzim përfundimtar.

Në nismën e tij,  Edi Rama ka gjetur gjuhë të përbashkët me kryetarin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili po ashtu nuk është i kënaqur me BE-në, pasi ajo në parim i kërkon arritje të një marrëveshjeje me Kosovën. Vuçiq, në këtë rast mendon se më leftë arrin marrëveshje me Edi Ramën, për Kosovën, sesa me Brukselin, dhe kjo është një “non sens” i llojit të vet, përderisa Edi Rama propagandon se Kosova do të mund të pranohet me të drejta të barabarta si të gjitha pesë shtetet e tjera.  Ditë më parë ku për këtë qëllim kryeministri i Shqipërisë,  Edi Rama, kryetari serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri maqedonas Dimitar Kovacevski, pas zhgënjimit nga Bashkimi Evropian i cili edhe këtë herë nuk i çeli negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përcollën një mesazh në Bruksel. Të tre dolën në një konferencë të përbashkët për mediat për të shprehur zhgënjimin dhe mospajtimin pas vetos bullgare por edhe për të shpalosur unitetin si ‘Ballkan i Hapur’. Një ditë historike negative e konsideroi Kryeministri Rama të sotmen, teksa tregoi të gjitha mesazhet që i kishte thënë liderëve të Bashkimit Evropian në mbledhjen me dyer të mbyllura në samit. Të paaftë për të çliruar nga pengmarrje 2 vende kandidatë për në BE dhe anëtare të NATO-s i konsideroi Rama liderët e ‘Unionit’. Ai tha se kjo është një turp i madh. “Turp një vend i NATO që merr peng dy vende të NATO, ndërkohë që në oborr të Evropës ka një luftë. Putin është shumë sëmurë, mund të jetë shumë mirë, por ky vendi këtu nuk duket shumë i shëndetshëm”, tha Rama dhe nënvizoi se asgjë nuk e surprizoi. Ai  gishtin e drejtoi nga Bullgaria, si e vetmja përgjegjëse që mori peng dy shtete dhe gjunjëzoi 26 vendet e tjera anëtarë të Bashkimit Evropian.  Ai me ironi tha se ndihet i keqardhur për BE-në. Edi Rama tha se  Z. Mishel na tha se kemi 3 minuta, I thash se mund të ishte edhe 30 sec nëse do mbanin fjalën, po ata nuk e mbajtën. Ndaj edhe koha për ne ishte e shkurtër”, tha Kryemininistri. Për Ramën kjo që po ndodh me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën është çmenduri dhe një turp. “Ata ishin në diktaturën jugosllave dhe mund të lëviznin lirisht. Dhe që kur u liruan, çlirimtarët e tyre nuk i lejojnë të lëvizin lirisht. Kjo është e turpshme”, tha ai.

Kritika ndaj BE pati edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, i cili sidoqoftë u shpreh kundër propozimit francez për zgjidhjen e ngërçit. presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic u radhit krah fqinjëve. Ai tha se asnjë rezultat pozitiv nuk kishte për rajonin nga ky samit. Samiti i liderëve të Bashkimit Evropian me ata të Ballkanit Perëndimor i mbajtur të enjten e 23 qershorit nuk dha asnjë rezultat pozitiv, ashtu si kurse edhe pritej që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do t’u duhet të presin për negociatat deri në një kohë të pacaktuar, nisur nga situata e fundit e brendshme në Bullgari me rrëzimin e qeverisë në momentin që pritej të hiqej vetoja për maqedonasit. Samiti u karakterizua nga tensione, ndërkohë që nuk munguan edhe përplasjet vebale, siç ishte ajo e Kryeministrave të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Edi Rama është politikani më i mençur dhe më pragmatik që ka pasur Shqipëria e pas viteve të rënies së sistemit komunist, në vend. Ai shquhet për politikë kreative në planin e jashtëm, ka mbajtur shumë premtime në zgjedhje dhe tani është në mandatin e tretë, në kohën kur ka një opozitë të pa ekuilibër, të përçarë e të ndarë përbrenda vetes. Ai ka një qëndrim  shumë parimor për Kosovën dhe luftën e UÇK-së. Po kështu mbanë qëndrim të moderuar me të gjitha shtetet në Ballkan, pastaj veçmas me  Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqinë e vende të tjera.

Por halli kryesor i Edi Ramës, i cili me krejt forcën është kapur  për fiksionin e tij “Ballkani i hapur” mbetet Greqia, e cila jo vetëm një herë, por gati muaj për muaj i tregon Edi Ramës, se pa i rregulluar të gjitha marrëdhëniet me Greqinë, pa bërë lëshime sipas orekseve greke, kurrë Shqipëria nuk mund të pranohet  në BE dhe se çështja e Bullgarisë është zero në krahasim me atë të Greqisë.

Nuk ka kaluar  asnjë muaj,  qysh kur ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias,  i ka bërë të ditur Edi Ramës, se rruga drejt BE-së, kalon nëpër Athinë, duke i plotësuar disa nga këto kushte sikur  janë: zgjerimi i detit grek 14 kilometra në brendi të detit të Shqipërisë, mos përmendja e çështjes çame, fshirja nga tekstet e historisë së krejt historisë së Çamërisë, fshirja e toponimeve shqiptare, që kanë të bëjnë me emër-vendet shqip të Greqisë, të drejtat sipërore të minoritetit grek në Shqipëri, pa kërkuar të drejta për minoritetin shqiptar në Greqi, të cilin Greqia nuk e njeh me kushtetutën e saj, mos përmendja e fjalës arvanitas, edhe pse këtë e përmendin vetë grekët ortodoksë, arvanitas, injorimi i miqësisë së Shqipërisë, me Turqinë, e kërkesa të tjera, deri edhe idiotike, por gjithnjë sipas shijes greke.

Kjo është Shpata e Damakleut që rri mbi kokën e Edi Ramës, i cili e di mirë se kërkesat e Greqisë, një nga një, i kërkon dhe i arsyeton BE-ja  dhe të gjitha shtetet e Evropës, mjerisht edhe politika zyrtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kontrolloni gjithashtu

Ismet Rashiti: Saqip Zymberi ka shumë shokë, po shokët nuk e paskan pasur shok Saqipin

Ismet Rashiti: Saqip Zymberi ka shumë shokë, po shokët nuk e paskan pasur shok Saqipin

Ka disa vite që veprimtari i orëve të para për Pavarësinë e Kosovës, ish i …