EKSPOZEJA E MANDATARIT TALAT XHAFERI PARA KUVENDIT

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar mediume,

Zonja dhe zotërinj

Gjatë pranimit të mandatit për formimin e Qeverisë kalimtare për zbatimin e zgjedhjeve për deputetë nga Presidenti Pendarovski, theksova se e pranoj mandatin me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë, me premtim se ndërgjegjshëm dhe në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, Qeverinë dhe negociatat për formimin e saj do i zhvilloj në mënyrë përkatëse me nevojën dhe gjendjen politike në shtet, me shpresë se propozimi që sot e keni para vetes do të jetë përbërja përkatëse që do i përmbushë pritjet e situatës aktuale dhe mbi të gjitha, me përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë.

Këtë përbërje të Qeverisë e propozoj në bazë të marrëveshjes së ndërsjellë politike ndërmjet liderëve të partive më të mëdha politike parlamentare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që u mbajt më 4 dhjetor 2023 ku u definua edhe afati i mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta presidenciale më 24 prill dhe 8 maj dhe zgjedhjeve të rregullta parlamentare më 8 maj 2024 dhe u miratua vendimi për formimin e Qeverisë kalimtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Edhe pse mund të quhet Qeveri kalimtare e cila prioritetin e parë do e ketë mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta presidenciale dhe parlamentare në mënyrë të drejtë dhe demokratike, dua të potencoj këtë:

– Për mua, si Mandatar i kësaj Qeverie, nuk ka dallim nëse është fjala për 1 apo 100 ditë, për Qeveri teknike apo kalimtare! Unë, këtë detyrë, besim, nder dhe mbi të gjitha përgjegjësi jashtëzakonisht të rëndësishme, e kuptoj dhe do i qasem ashtu siç kam vepruar në çdo etapë dhe në çdo sfidë që është shfaqur para meje në jetën profesionale dhe personale.

Dëshiroj t’ju siguroj se në asnjë çast nuk do të lejoj të devijojmë nga ajo që do të thotë institucion funksional dhe i besueshëm për qytetarët dhe institucion

me kompetenca qartë të përkufizuara me Kushtetutë në raport me shtyllat tjera të pushtetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Duke e marrë parasysh se kjo Qeveri është propozim pas negociatave të partive politike, dhe është vazhdim i Qeverisë paraprake që punonte me Programin e pranuar të Punës së Qeverisë 2022-2024, unë dhe Qeveria që do e udhëheq obligohemi të vazhdojmë me zbatimin e plotë, efikas dhe të suksesshëm edhe të politikave të pranuara. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka mandat për realizimin e prioriteteve të theksuara në bazë të përcaktimeve strategjike të përkufizuara në mënyrë të qartë dhe konsensuale të qytetarëve për integrimin e plotë dhe të përshpejtuar dhe anëtarësimin e plotfuqishëm të shtetit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030; për funksionimin e suksesshëm dhe kontributin për sigurinë e përbashkët shtetërore, rajonale dhe evropiane kolektive në kuadër të Aleancës së NATO-s; për zbatimin efikas të politikave të suksesshme për avancimin e standardit jetësor të qytetarëve dhe përshpejtimin e rritjes dhe zhvillimit ekonomik përmes indikatorëve të qartë në vitin 2024, si dhe vazhdimin e plotë të politikave, instrumenteve dhe vendimeve të suksesshme për të mbështetur nevojat dhe prioritetet sociale, shëndetësore, arsimore, kulturore dhe civile të të gjithë qytetarëve. Puna e Qeverisë do të bazohet në këto parime:

       Respektimi i plotë i Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut

       Përgatitja dhe zbatimi i suksesshëm i zgjedhjeve të rregullta presidenciale dhe parlamentare të lira, të drejta, demokratike dhe konkurruese në përputhje me standardet më të larta të Bashkimit Evropian, OSBE-së/ ODIHR-it dhe Këshillit të Evropës

       Vazhdimësia në zbatimin e politikave dhe programeve të suksesshme të Qeverisë në vitin 2024

       Mbajtjen e shkallës së lartë të dialogut, transparencës, llogaridhënies dhe inkluzivitetit në punën e vet dhe komunikimin me të gjitha institucionet dhe qytetarët

       Mbajtjen dhe avancimin e partneritetit strategjik të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, Aleancën e NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës

       Zbatimin e plotë të parimeve dhe vendimeve të Marrëveshjeve të rëndësishme për marrëdhëniet ndëretnike, kohezionin dhe stabilitetin e brendshëm dhe integrimin e suksesshëm euroatlantik

Për të qenë konsekuent ndaj këtyre parimeve, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në periudhën deri në zgjedhjen e Qeverisë së ardhshme politike, do të fokusohet në prioritetet strategjike dhe shtetërore të veta konkrete të cilat do i elaboroj shkurtimisht, për arsye se të njëjtat i keni me shkrim dhe më të hollësishme në vetë Programin për punë.

Në lidhje me prioritetin e lartë të Qeverisë, që është përgatitja dhe organizimi i zgjedhjeve  të lira, fer dhe demokratike, Qeveria në një procedurë të drejtpërdrejtë, transparente dhe ligjore dhe në bashkëpunim me Kuvendin, Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Misionin e OSBE/ODIHR-it, Bashkimin Evropian dhe SHBA-të, do të zbatojë të gjitha parakushtet ligjore, institucionale, organizative dhe operative për zbatimin e vullnetit të qartë të qytetarëve, duke synuar mundësimin e standardeve më të larta evropiane në procesin e fushatës zgjedhore dhe vetë zgjedhjet, që të zhvillohen zgjedhje me ligjshmëri të plotë, legjitimitet dhe pranim konsensual të vullnetit elektoral të qytetarëve.

            Sa i takon anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe integrimit të përshpejtuar evropian, me synimin për anëtarësim të plotë deri në vitin 2030, Qeveria do të vazhdojë të zbatojë të gjitha proceset dhe detyrimet që rrjedhin nga negociatat e nisura. Ndër  to bëjnë pjesë detyrimet që dalin nga mbledhjet e zhvilluara dypalëshe- skriningu, nga raporti i Komisionit Evropian për Klasterin 1 si dhe për klasterët tjerë që janë në proces të përgatitjes. Këtu bën pjesë edhe Udhërrëfyesi për reformat në administratën publike dhe për kapitujt për sundimin e së drejtës me Plan Aksionar, si edhe përpilimi i Udhërrëfyesit për funksionimin e institucioneve demokratike, deri në finalizimin e tyre.

Të nderuar të pranishëm,

Qeveria do të mbetet e fokusuar në aktivitetet që rrjedhin nga përgatitja për zbatimin e suksesshëm të Planit të Rritjes, i cili është pjesë e pakos së zgjerimit të Komisionit Evropian dhe është një instrument për forcimin e konvergjencës socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor me  Bashkimin Evropian dhe përshpejtimin e reformave të BE-së.

Do i përkushtohemi objektivit kryesor të politikës ekonomike për rritjen e përshpejtuar dhe të qëndrueshme ekonomike ku veçoj: rritjen e Prodhimit Bruto Vendor (PBV) prej të paktën 3% në 2024. Këtu dua të shtoj se investimet e parapara kapitale vazhdojnë edhe gjatë periudhës zgjedhore, pasi kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen dhe zhvillimin ekonomik.

Me vazhdimin dhe rrumbullakimin e politikave që do të mundësojnë: Rritjen e pagës minimale, mesatare, të pensioneve, vazhdimin e subvencionimit të qytetarëve dhe bizneseve, veçanërisht në pjesën e çmimit të energjisë elektrike dhe ngrohjes; uljen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe ruajtjen e standardit të jetesës së qytetarëve; vazhdimin e stabilizimit të çmimeve dhe kthimin e inflacionit në nivelet e mëparshme të moderuara dhe të ulëta; bashkëpunimin e plotë me institucionet në politikën monetare; respektimin e plotë të disiplinës fiskale dhe përmbushjen e plotë të Buxhetit 2024, si tregues kyç, do të konfirmohet edhe suksesi i politikave të Qeverisë së mëparshme dhe andaj kahu i provuar nuk do të ndryshojë edhe me këtë Qeveri.

Nuk parashikojmë as ndryshime në politikën fiskale dhe fokusi primar do të jetë përfshirja e plotë e tatimpaguesve. Do të vazhdojmë me mbështetjen e drejtpërdrejtë për kompanitë vendase dhe të huaja, sepse ato gjenerojnë vlerë të lartë të shtuar dhe vende të reja pune. Lufta kundër ekonomisë joformale nuk do të pushojë dhe transparenca dhe llogaridhënia e plotë në menaxhimin e financave publike do të jetë akoma më e vendosur.

Mbetemi plotësisht të përkushtuar për transformimin energjetik dhe ndryshimin e strukturës energjetike të shtetit, duke shfrytëzuar potencialin e pasur që e posedon Republika e Maqedonisë së Veriut. Vazhdimi i punëve të projekteve investuese të filluara në infrastrukturë dhe përfundimi i pjesës më të madhe të projekteve që do të ofrojnë infrastrukturë moderne dhe ndërlidhje, mbesin prioritet i Qeverisë.

Zgjidhja e problemeve të qytetarëve në të gjitha komunat, pavarësisht se nga kush drejtohen do e gëzojë përkrahjen e pushtetit qendror. Politika e zhvillimit të bujqësisë me mbështetje financiare për krijimin e kushteve për qëndrueshmëri vazhdon dhe pagesa e shumës më të lartë prej 100% për naftën e gjelbër për bujqit, po ashtu. Natyrisht, do të sigurojmë pagesën në kohë të pensioneve dhe do e zbatojmë në tërësi vendimin e Qeverisë së kaluar për mbështetje financiare për pensionistët me pensione më të ulëta, me dotacion financiar dhe mbështetje direkte për pensionistët. Pagesa në kohë dhe e plotë e transfertave sociale për kategoritë e ndryshme të shfrytëzuesve do të jetë në pajtim me Programet e përcaktuara. Qeveria do të vazhdojë të zbatojë politikat për zhvillimin e arsimit cilësor të disponueshëm për të gjithë, sepse investimi në arsim është investim në ardhmërinë e një shteti dhe si partner i të rinjve, një pjesë serioze të fokusit do e përcaktojmë për të rinjtë. Ashtu siç do investojmë edhe në krijimin e sistemit shëndetësor modern dhe të qëndrueshëm.

Të nderuar të pranishëm,

Sundimi i të drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbeten politika qendrore dhe strategjike të Qeverisë. Do të zbatojmë proceset e nisura për rrumbullakimin e legjislacionit vendor në lidhje me proceset institucionale të partnerit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për përcaktimin dhe sanksionimin e personave të lidhur me krimin dhe korrupsionin.

Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, në bashkëpunim me Kuvendin, Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, OJQ-të dhe institucioneve tjera të referuara do të jenë pikënisja për përfundimin e gjithë procesit të implementimit të ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor.

Qeveria do i ndërmarrë të gjitha aktivitetet për funksionimin e plotë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kontributin maksimal në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

Po ashtu, do e ruajmë dhe promovojmë partneritetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të Aleancës së NATO-s dhe do i mbetemi besnik Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian.

Marrëdhëniet ndëretnike, respektimi i veçorive qytetare, kulturore, gjuhësore, fetare e të tjera janë veçori e shoqërisë së përbashkët dhe modeli i një shoqërie për të gjithë. Janë një vlerë e shtuar dhe andaj, promovimi i kohezionit social, gjithë përfshirja, lufta kundër gjuhës së urrejtjes dhe respektimi i diversiteteve si të drejta do të vazhdojë të jetë obligim i Qeverisë edhe më tej.

Duke e ditur rëndësinë e ruajtjes së lirisë së mediave, me theks të veçantë në lidhje me fushatën parazgjedhore dhe zgjedhore, do të insistojmë që përmes dialogut dhe bashkëpunimit të mundësojmë respektimin e standardeve më të larta evropiane për raportim dhe informim profesional, të paanshëm dhe objektiv në procesin zgjedhor, ashtu siç rekomandon OSBE/ODIHR-i.

Në fund, por jo më pak të rëndësishme, do të vazhdojmë të mbështesim investimet dhe modelet e nisura për kulturën, si edhe për zhvillimit e sportit në vend, si përfaqësues të denjë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vend dhe jashtë kufijve të vendit.

Tani, më lejoni të falënderoj për besimin e dhënë, fillimisht kryetarit të Bashkimit demokratik për integrim, Ali Ahmeti, Presidentit të shtetit, Pendarovski, dhe deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut që ju përfaqësojnë Ju, qytetarë të nderuar.

Ju faleminderit për vëmendjen!

 

28. 1. 2024

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …