leoni

Robert Elsie: Literatura shqipe në traditën islame-osmane III

Robert Elsie: Literatura shqipe në traditën islame-osmane III

Shkrimtarët me prejardhje shqiptare që shkruan turqisht.

Një nga më origjinalët ndër poetët e hershëm të Perandorisë Osmane ishte Mesihi i Prishtinës(4) (rreth 1470-1512) i njohur në turqishtë si Pristineli Mesihi. Mendohet se ka qenë

shqiptar nga Prishtina, edhe pse duhet të ketë banuar në Stamboll që në moshë të njomë e më pas. Mesihi nuk qe vetëm një poet jashtëzakonisht i talentuar, por edhe një mjeshtër me talent për kaligrafi, dhe pati postin e sekretarit të Kadim Ali Pashës gjatë sundimit të Bajazidit II (sundoi 1481-1512). Një Õehr o—lani (djalë qyteti) qefli, sikundër e cilëson biografi Ashik Çelebi, Mesihinë mund ta gjeje më lehtë nëpër parqe e bahçe dëfrimi me miqtë dhe dylberët e tij sesa në punë. Ndonëse mënyra hedonistike e jetesës do t’ia ketë penguar përparimin në karierë, ai krijoi atë që mund të quhet si ndër më të mirat poezi osmane të kohës së vet. Më e përmendura është Murabba’-i bahar(5) (Odë për pranverën) e cila, pas botimit në përkthim latinisht më 1774 nga orientalisti Sër Uilliam Xhounz (Sir William Jones, 1746-1794), do të bëhej poezia më e njohur turke në Evropë për një kohë të gjatë. Ajo fillon kështu:

“Dinle bülbül kissasin kim geldi eyy~m-i bah~r

Kurdi her bir b~—da heng~me heng~m-i bah~r

Oldi s§m efs, ~n ana ezh~r-i b~d~m-i bah~r

‘Ays, ã nãs, et kim geçer kalmaz bu eyy~m-i bah~r”

(Dëgjo bilbilin, ditët e pranverës kanë ardhur,

Stina e pranverës i ka gjallëruar tërë kopshtet,

Lulet e bajames lëshojnë rreze të argjendta,

Pi dhe bëj qef, se ditët e pranverës të ikën e të lënë.)

Më origjinale se ‘Odë për pranverën’ është poezia e Mesihisë Ôehr-engîz (Tmerri i qytetit), që pas pak kohe do të bëhej model i një gjinie letrare të re në poezinë osmane. Në 186 kupletet e tij ai i këndon bukurisë dhe nurit të dyzet e gjashtë djelmoshave të Edrenesë (Adrianopojës). Është kjo një kryevepër e poezisë turke të fillimit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë që, me lojën e fjalëve dhe humorin therës, sjell një farë lehtësimi e shlodhjeje në mes të atij vërshimi të përgjithshëm të poezisë intelektualiste mistike. Mesihi pranon me humor se vjersha e tij është mëkatare, por edhe se ka besim që Zoti do ta falë: “Zemra ime bredharake është bërë aq shumë copash, saqë secila ka vajtur te njëra prej atyre bukurive.”

Një shkrimtar tjetër i shekullit të gjashtëmbëdhjetë me prejardhje shqiptare ishte Jahja bej Dukagjini(6) (vd. 1575), i njohur në turqisht si Dukagin-zâde Yahyâ bey ose TaÕlicali Yahyâ. Pinjoll i një fisi dukagjinas që banonte në alpet e zhveshura shqiptare në veri të lumit Drin, ai vetë doli nga krahina e Plevlës, tani në veri të Malit të Zi, dhe u dërgua në rini për të shërbyer si jeniçer. Ndryshe nga shumë të rinj shqiptarë të shkolluar në shërbim të Perandorisë Osmane, nuk e kishte lënë në harresë prejardhjen e tij shqiptare. Në njërën nga vjershat e tij thotë:

“Arnavud asli olub-dur aslim

Qili—iyla dirilür heb neslim

Nola ol .t~’ife-i š§r-efken

Qilsa š~hin gibi .tašliqda vat.an

Arnavud as. li olanda bu hüner

Aña beñzer ki ola .tašda güher”

__________________________________________________ _________________

5 kr. Rossi 1954.

6 kr. Gibb 1904, vëll. 3, f. 116-132, Bombaci 1969, f. 345-346, dhe Kaleshi 1991,

  1. 19-22.

__________________________________________________ _________________

(Raca shqiptare është raca ime, Mbarë populli im mban shpatën pranë, Ata trima si petrita nuk e kanë për gjë Të ngrenë shtëpitë mes shkëmbinjve, Kjo është dhunti e racës shqiptare, Ata njerëz janë gurë të çmuar mes shkëmbinjsh.)

Jahja beu ishte ushtar trim e njëkohësisht shkrimtar i guximshëm. Ai nuk kishte frikë t’i dilte kundër opinionit publik ose t’ua prishte qejfin nëpunësve të oborrit me vargun e tij shpesh me frymë polemike. Një herë, i akuzuar nga Veziri i Madh pse kishte guxuar të shkruante një elegji për vdekjen e princ Mustafait, i cili qe ekzekutuar në Konjë nga i ati, sulltan Sulejman Madhështori (sundoi 1520-1566) më 1533, Jahja beu iu përgjigj me zgjuarësi: “Ne e dënojmë me Padishahun, por e vajtojmë me popullin”. E prapëseprapë, meqë kishte bërë shumë armiq, e pa më të arsyeshme të tërhiqej në çifligun e tij afër Zvornikut në Bosnjë, ku, plak i moshuar në të tetëdhjetat e me divanin e tij në dorë për ta përfunduar, vdiq më 1575 [983 A.H.]. Nga pesë mesnevî të tij më e njohura është Shâh u gedâ (Mbreti dhe lypësi), për të cilën na thotë se e ka mbaruar brenda jo më shumë se një jave. Kjo poemë e çmuar shumë, e shkruar me vargje të rregullta, idealizon dashurinë e pastër për një djalosh nga Stambolli me bukuri të rrallë (i dhënë si mbret meqë mbretëron mbi zemrën e tij) nga dashnori i tij i përunjur (i dhënë si lypës për shkak të lutjeve plot dëshirë e mall). Ai ishte edhe autori i një divani gazelesh të përmendur më sipër, që përgjithësisht mendohet se janë më pak origjinale. Një tjetër poet turk me emër ishte i vëllai i Jahja beut, Ahmed bej Dukagjini, i njohur në turqisht si Dukagin-zâde Ahmed bey.

Me prejardhje shqiptare duket se kanë qenë të paktën tre prozatorë turq të vjetër. Ata janë Ajazi (Ayâs), autor i fillimit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, i cili ka hartuar një kronikë të mbetur pa u botuar; Veziri i Madh Lutfi Pasha (vd. 1564), autor i një traktati për detyrat e shtetit; dhe Koçi Beu nga Korça, këshilltar i Sulltan Muradit IV (sundoi 1623-1640), traktati politik i të cilit për problemet shqetësuese të Perandorisë dhe rrugët për mënjanimin e tyre e bëri orientalistin e madh austriak Baron fon Hamer-Purgshtal (Baron von Hammer-Purgstall7 1774-1856) ta quante ‘Monteskjë Osman’.

Gjatë pesë shekujve të bashkimit të dhunshëm me Perandorinë Osmane, Shqipëria do të nxirrte shumë burra të tjerë të mëdhenj, ndikimi i të cilëve mbi kulturën turke kurrsesi nuk qe anësor. Ndër ta ka qenë teologu dhe dijetari Hoxha Hasan Tahsin (1812-1881), i pari rektor i Universitetit të Stambollit; leksikografi dhe enciklopedisti Sami bej Frashëri (1850-1904), i njohur në turqisht si Shemsedin Sami (Ôemseddin Sami); poeti mbarislamik Mehmet Akif (1873-1936) nga Peja, autor i himnit kombëtar turk të vitit 1921; dhe Riza Tevfik (1868-1949), një nga filozofët më të mëdhenj turq të kohës.

Ndërkaq, për fat të mirë, në shekullin e tetëmbëdhjetë, energjitë krijuese të shqiptarëve osmanë filluan të rrjedhin edhe në drejtim të zhvillimit të gjuhës së tyre kombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Poezi nga Xheni Krypi

Poezi nga Xheni Krypi

1. Më lër edhe pak Më lër të jetoj edhe pak, o rrugë e vdekjes, …