Sqarim publik lidhur me investimet në shkollat e komunës së Vitisë përmes projektit të Fondit të Kosovës për Efiçencë të Energjisë

Komuna e Vitisë, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik lidhur me projektet që po realizohen në kuadër të projektit të Fondit të Kosovës për Efiçencë të Energjisë (FKEE), konkretisht në shkollat e kësaj komune që sot po vizitohen nga kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, ju njofton se:

Financimi i projektit me Fondin e Kosovës për Efiçencë të Energjisë (FKEE) në shkollat e kësaj komune po bëhet në kuadër të marrëveshjeve që ka komuna e Vitisë me këtë fond. Komuna e Vitisë është e angazhuar për realizimin e këtyre projekteve dhe investimeve të nevojshme nëpër shkolla, në përputhje me rregullat dhe udhëzimet përkatëse të FKEE.

Kthimi i investimeve: Komuna e Vitisë do të bëjë kthimin e tërësishëm të mjeteve financiare për investimet të bëra sipas marrëveshjeve dhe planit të kthimit të investimeve të përcaktuar me shtojcat e secilës marrëveshje. Për këtë arsye, komuna e Vitisë është financuese e këtyre projekteve dhe jo niveli qendror.

Në secilën marrëveshje, konkretisht në nenin 1 të saj, përmendet që:

“Komuna e Vitisë, FKEE përmes skemës qarkulluese/skemës kthyese i ofron komunës financimin e tërësishëm të projektit, ndërsa komuna do të bëjë kthimin e vlerës së tërësishme të investimit të projektit sipas kësaj marrëveshje.”

Marrëveshjet për zbatimin e masave të Efiçiencës së Energjisë në shkolla: Komuna e Vitisë dhe FKEE, për realizimin e këtyre projekteve, kanë bërë marrëveshje për secilën shkollë ku do të aplikohet zbatimi i masave të efiçencës së energjisë. Shkollat ku do të realizohen këto projekte janë:

SH.M.U “Nijazi Rexhepi” – Sllatinë e Epërme

“Mirali Sejdiu” – Gërmovë

“Dëshmorët e Lubishtës” – paralelja e ndarë në Buzovik

“28 Nëntori” – Sadovinë e Jerlive.

Buxheti dhe afati i kthimit: Investimet në shkollat e Vitisë po bëhen me buxhetin komunal, por pa kamatë dhe për një afat më të gjatë të kthimit të investimit.

Fatkeqësisht komuna e Vitisë detyrohet të shpreh keqardhje që zyra e kryeministrit të Republikës Kosovës viziton projektet që realizohen në Viti, pa njoftim paraprak nga ta dhe pa koordinim me nivelin lokal si zot shtëpie dhe duke mos respektuar protokollet. Kjo praktikë nuk është aspak institucionale prandaj i bëjmë thirrje atyre që të ndryshojnë atë.

Poashtu njoftojmë opinionin publik se Komuna e Vitisë mbetet e përkushtuar që projektet për efiçencën e energjisë në shkollat e komunës sonë të realizohen me sukses. Ky investim ka për qëllim përmirësimin e kushteve të mësimdhënies dhe kursimin e energjisë, duke kontribuar në një mjedis më të qëndrueshëm dhe më efikas. Komuna e Vitisë, së bashku me FKEE, do të vazhdojë të punojë për realizimin e këtyre projekteve, duke siguruar që ato të kenë një ndikim pozitiv dhe të qëndrueshëm për brezat e ardhshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Lavdi të gjithë dëshmorëve që u bënë themel i Kosovës së lirë!

Në vendin ku liria mori emër, në Gllogjanin e qëndresës, sot u përkulëm me nderim …