Profesoresha dhe autorja kroate Nevenka Tromp ka deklaruar se çdo aktgjykim ndaj ish-krerëve të UÇK-së që nuk përfundon me pafajësi të plotë dhe pa kushte, sipas saj, do të dëshmonte se Dhomat e Specializuara në Hagë janë instrument politik dhe jo një gjykatë e së drejtës. Tromp, në një intervistë për Gazetën Express, ka kritikuar përdorimin e doktrinës së “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale”, duke e cilësuar atë si artificiale dhe të tejzgjatur, ndërsa ka thënë se një vendim fajësues do të forconte pretendimin se procesi është ndërtuar mbi një narrativë politike dhe mbi përpjekjen për të krijuar një “simetri të rreme” mes palëve në luftërat e viteve ’90. Sipas saj, Gjykata Speciale ka përjetuar krizë legjitimiteti që nga themelimi dhe, në rast të një vendimi fajësues, Serbia do të mund ta shfrytëzonte atë për të forcuar narrativën e saj politike ndaj Kosovës. Tromp ka vlerësuar gjithashtu se deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për rezultatin e mundshëm të procesit janë pjesë e një loje politike dhe të luftës psikologjike, duke thënë se ai po përpiqet ta ndikojë perceptimin për vendimin e gjykatës para se ai të shpallet. Ajo ka theksuar se përçarjet politike në Kosovë në prag të 16 shtatorit, kur pritet shpallja e aktgjykimit, sipas saj, do t’i shërbenin vetëm Serbisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
