Zjarri i Lirisë” ndizet edhe në Zonën Operative të Nerodimes: “Liri për çlirimtarët, nderim për UÇK-në”

Edhe Zona Operative e Nerodimes i është bashkuar aktivitetit “Zjarri i Lirisë”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në Hagë. Sipas platformës “Liria ka Emër”, në këtë aktivitet janë bashkuar ish-pjesëtarë dhe bashkëluftëtarë të UÇK-së, veteranë, familje të dëshmorëve dhe qytetarë, duke përcjellë mesazhin se lufta e UÇK-së ishte luftë për liri dhe se historia e saj duhet të ruhet e të mbrohet me dinjitet. Nga Jezerci është përcjellë edhe kërkesa për drejtësi dhe liri për ish-krerët e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, ndërsa është shprehur mbështetje për sakrificën e luftëtarëve dhe vlerat që, sipas organizatorëve, qëndrojnë në themel të lirisë së Kosovës. Aktiviteti “Zjarri i Lirisë” po zhvillohet në zona të ndryshme operative, duke bashkuar bashkëluftëtarë dhe qytetarë rreth kujtesës së luftës dhe kërkesës për drejtësi.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu i cili në postimin e tij në Facebook ka shkruar:

Në Jezercin e Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bërthamën luftarake të Zonës Operative të Neredimes, mes familjarëve të Dëshmorëve të Kombit, krerëve të luftës çlirimtare, luftëtarëve të lirisë, qytetarëve të shumë bashkë me drejtuesit e platformës “Liria ka emër” u ndez sonte “Zjarri i lirisë”, zjarr i pashuar e i përjetshëm i krenarisë dhe lavdisë kombëtare, në pritjen e Kosovës, në pritjen gjithëshqiptare e gjithëpopullore për etërit e lirisë e të Republikës, krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që më 16 Shtator triumfojnë me lavdi, si edhe lufta jonë çlirimtare, triumfojnë me drejtësinë për Kosovën që pret bijtë e saj, për lirinë që ka emrin e vulën e tyre e të secilit çlirimtarë, festojmë bashkë më 16 Shtator me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, heronjtë e luftës dhe të paqes.

Organizatorët nga Nerodimja kanë përcjellë mesazhin: “Liri për çlirimtarët, nderim për UÇK-në”, ndërsa aktivitetet do të vazhdojnë në prag të “Marshit për Liri”, i cili mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Kontrolloni gjithashtu

Deçani mobilizohet për marshin për Liri “Kosova po pret” më 12 shtator

Kryetari i komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, se …