Është publikuar një informacion shqetësues, sipas të cilit në zyrën e Noterisë në Han të Elezit po përdoret një vulë zyrtare ku, krahas gjuhës shqipe, figuron edhe emri i ish-kriminelit serb “Gjeneral Jankoviq”. Ish-kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka reaguar ashpër ndaj kësaj praktike, të cilën e cilëson si të papranueshme dhe provokuese. Ai rikujton opinionin publik dhe institucionet përkatëse se ky emërtim është hequr nga përdorimi zyrtar që nga viti 2012, pas një përpjekjeje të gjatë institucionale dhe qytetare që kishte nisur menjëherë pas Çlirimit të Kosovës, në qershor të vitit 1999. Në vitin 2012, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi zyrtarisht ndryshimin e emërtimit të komunës edhe në versionin serb të gjuhës, duke zëvendësuar “Đeneral Janković” me “Elez Han”, duke e unifikuar kështu emërtimin në të gjitha gjuhët zyrtare të vendit. “Çdo përdorim i mëtejmë i këtij emri, veçanërisht në dokumente zyrtare siç është vula noteriale, është në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe paraqet një akt të rëndë simbolik ndaj dinjitetit të qytetarëve të kësaj komune dhe më gjerë”, Ai i bën thirrje Zyrës së Noterisë në Han të Elezit që menjëherë të heqë nga përdorimi vulën me emërtimin e vjetër dhe të pajiset me një vulë të re, në përputhje me standardet dhe emërtimet zyrtare të Republikës së Kosovës. Në të kundërt, Suma paralajmëron se do të ndërmerren masa për mbylljen e kësaj zyre, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.
