Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Altin Krasniqi, ka deklaruar se partia fituese e zgjedhjeve duhet të ndryshojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, në mënyrë që të zhbllokohet situata e krijuar institucionale. Kjo deklaratë u dha para nisjes së seancës së 25-të konstituive të Parlamentit të Kosovës, e cila, ashtu si të gjitha të mëparshmet, dështoi të prodhojë një epilog. “Besoj se partia e parë do ta ndryshojë kandidatin. Kjo është zgjidhja e vetme,” tha Krasniqi, duke aluduar në Lëvizjen Vetëvendosje dhe kandidaturën e saj të deritanishme, Albulena Haxhiu. Krasniqi gjithashtu reagoi ndaj deklaratës së liderit të LVV-së, Albin Kurti, i cili kishte sugjeruar se mungesa e votave për Haxhiun lidhej me faktin që ajo është grua. Deputeti i PDK-së e hodhi poshtë këtë pretendim si të pavërtetë: “Nuk është e vërtetë. Ka deputetë që kanë deklaruar se do të votonin gra të tjera,” u shpreh Altin Krasniqi.
