Robert Einhorn, ish-këshilltar i posaçëm në Departamentin amerikan të Shtetit gjatë administratës Obama dhe pjesë e ekipit negociator SHBA-Iran, e ka quajtur një hap pozitiv armëpushimin e ndërmjetësuar nga presidenti amerikan Donald Trump mes Izraelit dhe Iranit. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai shprehu shpresën se ky zhvillim do të krijojë hapësirë për rikthimin e diplomacisë. Megjithatë, Einhorn paralajmëroi për një shqetësim serioz: rreth 400 kilogramë uranium i pasuruar në nivel të lartë nga Irani mbetet ende i paidentifikuar dhe, sipas tij, kjo paraqet një rrezik që mund të menaxhohet vetëm përmes dialogut diplomatik. Sipas tij, pozita rajonale e Iranit është dobësuar, por kjo situatë mund të sjellë pasoja të dyanshme: qoftë shtytje drejt ndërtimit të armës bërthamore nga forcat e vijës së ashpër, qoftë një qasje më të përmbajtur. Ai theksoi se mosbesimi i thellë dhe qëndrimet e ngurta, sidomos për pasurimin e uraniumit, e bëjnë të pamundur një marrëveshje të re në një afat të shkurtër. Einhorn sugjeroi që negociatat e ardhshme duhet të jenë më kreative, duke përfshirë mundësinë e pasurimit të uraniumit përmes një pale të tretë ose përdorimin e stimujve ekonomikë që do t’i jepnin SHBA-së një interes konkret për të ruajtur çdo marrëveshje të ardhshme./ REL/
