Tema të tjera...
Misioni i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara ka rikonfirmuar përkushtimin e palëkundur të SHBA-së ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë si një partner të ngushtë dhe strategjik. Në një deklaratë zyrtare, misioni amerikan theksoi se ka ardhur momenti që të mbyllet misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), duke nënvizuar progresin e arritur nga institucionet kosovare. “Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Kosovën si një partner të ngushtë strategjik dhe janë të përkushtuara fuqimisht për njohjen e saj të plotë brenda Kombeve të Bashkuara. Koha për të mbyllur misionin e OKB-së është tani,” thuhet në deklaratën e SHBA-së në OKB. Ky qëndrim përforcon mbështetjen e vazhdueshme amerikane për shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe dërgon sinjal të qartë për avancimin e rolit të saj në arenën ndërkombëtare.