Zymer U. Neziri: TAKIMET E HOTIT TË KUJIT DHE FESTIVALI VII I LAHUTËS 2025

Zymer U. Neziri: TAKIMET E HOTIT TË KUJIT DHE FESTIVALI VII I LAHUTËS 2025

Takimet e sivjetme të Hotit të Kujit u kryen me sukses, pohoi shumë e gëzuar piktorja e njohur, Kaltrina Hoti, e shkolluar në SHBA, dhe e zonja e shtëpisë e kësaj veprimtarie të rëndësishme etnokulturore. Ashtu tha edhe përfaqësuesi i vendit, Ibër Hoti.

Më 10 korrik, në Hotin e Kujit, Komuna e Plavës, jehoi lahuta e Festivalit të shtatë të radhës, “Lahuta, Okarina, Polifonia”, me organizimin e Sokol Plakollit të palodhshëm, nga “Shkabat” e Prishtinës. Kishte lahutarë edhe nga Kelmendi e Rugova: Dinë Sinanaj, Hysen Kurtaj, Asllan Shala, Pretash Nilaj, Xhavit Balidemaj.

U përurua edhe libri studimor i Zymer Ujkan Nezirit, kushtuar  Eposit të Kreshnikëve sot, në pesë shtete të Ballkanit, për të cilin foli prof. dr. Albin Sadiku i Ins. Albanologjik. Autori  i librit tha se epika jonë tashmë ka emër të madh edhe në botën e shkencës në Evropë dhe në qendrat e mëdha studimore, nga Harvardi i famshëm amerikan e deri në Akad. e Shkencave të Kinës.

Ishin të rëndësishme dhe shumë inkurajuese fjalët e ambasadores shqiptare në Podgoricë, znj. Zhaklina Pepa, po edhe të konsullit të Kosovës, z. Ejup Ismajli. U veçua edhe prania e intelektualit të kësaj ane, Binak Ulaj, veteran i Lëvizjes Kombëtare. Aktori Halil Tetaj për të pranishmit u paraqit me vargje të zgjedhura të ” Lahutës së Malcisë” të Gjergj Fishtës. Ishte tejt e rëndësishme edhe prania e ekipeve televizive nga Kosova, RTK dhe Fontana.

Drejtuese e përgjegjshme dhe e suksesshme e Takimeve të Hotit të Kujit ishte studentja  e këtushme, Ledina Haxhaj, pjesëtare e këtij fisi të nderuar të Malësisë së Madhe dhe emër i njohur në historinë e Shqipërisë së Veriut. Me valle të vajzave të Hotit dhe të shoq. “Malësia e Rozhajës”, Tregovishtë, me veprimtarin Ali Daci, u mbyll ky manifestim në trojet e familjeve Haxhaj, Sinanaj, Hysenaj, Mujaj, Mehaj, pasardhës të Dedë Nikës, që dhanë burra të shquar e trima, por sot shumica e tyre jetojnë përmallshëm në mërgim për këto vende me bukuri të rralla të Alpeve Shqiptare. Pritja ishte tejet vëllazërore, krahas drekës dasmore të shtruar për të gjithë pjesëmarrësit e Takimeve.

Kontrolloni gjithashtu

Një vit të mbarë shkollor në gjuhën shqipe!

Një vit të mbarë shkollor në gjuhën shqipe!

Urojmë suksese të gjithë nxënësve të shkollave shqipe në Zvicër për vitin shkollor 2025/2026! Në …