Pas një pune intensive dy vjeqare, kam knaqësinë të ju informojë, se kam përfunduar librin e ri i të 41 me radhë, i cili pritet së shpejti të botohet.
GJYKATA SPECIALE MES TË VËRTETËS DHE MASHTRIMEVE
Special Court – Between Truth and Deceptions
Ky libër, synon të ofrojë një analizë të thelluar kritike mbi funksionimin, legjitimitetin dhe ndikimin e kësaj gjykate në shoqërinë kosovare. Përmes shqyrtimit të dokumenteve zyrtare, legjislacionit vendor dhe ndërkombëtar, rasteve gjyqësore,deklaratave publike dhe studimeve shkencore, ndërtohet një narrativë e dyfishtë ku ndërthuren përpjekjet për zbardhjen e së vërtetës me sfidat e manipulimit politik dhe historik.Duke u përqendruar në dimensionet juridike, politike dhe shoqërore, do të bëjmë përpjekje të ndriçojmë të vërteten e luftës në Kosovë dhe çështjet kyçe që lidhen me drejtësinë tranzicionale në Kosovë, duke vënë në pah kontraversave midis pretendimeve për drejtësi dhe interesave politike që shpesh e minojnë këtë proces.
Libri në rradh të parë, ofron një argumentim shkencor të luftës dë drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kundërshtuar me argumente shkencore çdo tendencë të shtrembimit të narratives së saj çlirimtare. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është organizata më e shenjtë në Kosovë, e cila me luften e saj çlirimtare solli lirinë, shtetëndërtimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Historia e Gjykatës Speciale për Kosovën është një kapitull kompleks i drejtësisë tranzicionale dhe i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Kjo gjykatë, e cila sot njihet si Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (KSC & SPO), ka lindur nga një proces i gjatë kontravers dhe shpesh i debatueshëm që përfshin raportime ndërkombëtare, hetime të ndërlikuara dhe presion të drejtpërdrejtë diplomatik.Në dhjetor të vitit 2010, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës publikoi raportin e hartuar nga raportuesi zviceran Dick Marty. Ky dokument , i sponzoruae nga Rusia dhd Serbia ngriti akuza të rënda kundër disa ish-udhëheqësve të i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke përfshirë krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe pretendime për trafik organesh (Council of Europe, 2011). Publikimi i raportit shkaktoi tronditje politike dhe zemërim në Kosovë, ku ai u cilësua si një sulm ndaj luftës çlirimtare dhe një përpjekje për të njollosur figurat kryesore të saj.Raporti i Marty nxiti kërkesën për hetime ndërkombëtare, duke vendosur bazat për atë që më vonë do të shndërrohej në një mekanizëm të posaçëm të drejtësisë për Kosovën.
Gjykata Speciale për Kosovën është produkt i një konteksti unik historik dhe politik. Ajo u krijua për të trajtuar pretendime të ndjeshme dhe për të vendosur standarde ndërkombëtare të drejtësisë. Megjithatë, për shumë kosovarë, ajo përfaqëson një padrejtësi selektive, që sfidon narrativën e luftës çlirimtare dhe vendos në dyshim besimin tek drejtësia ndërkombëtare. Kjo gjykatë nuk është thjesht një institucion juridik – ajo është bërë një arenë ku ndërthuren historia, politika dhe drejtësia.
Një segment i veçantë i kësaj problematike lidhet me tendencën për relativizimin e gjenocidit serb përmes themelimit të Gjykatës Speciale, respektivisht Dhomave të Specializuara Gjyqësore dhe Prokuroriale. Kjo gjykatë u krijua mbi bazën e raportit të kontestuar të senatorit Dick Marty, i cili pretendonte për trafikim organesh nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Ky raport rezultoi të ishte pjesë e një komploti ruso-serb, me qëllim kriminalizimin e luftës së drejtë të UÇK-së dhe delegjitimimin e pavarësisë së Kosovës.
Me ngritjen e aktakuzave ndaj themeluesve dhe liderëve kryesorë të UÇK-së, si dhe ndaj udhëheqësve shtetërorë të Kosovës, ky proces ka synuar një rishkrim të tendencës historike të luftës çlirimtare. Si një tribunal hibrid sui generis, Dhomat e Specializuara u ngritën përmes Amendamentit Kushtetues nr. 24 dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke u prezantuar si mekanizëm juridik i integruar në sistemin gjyqësor të Kosovës. Megjithatë, karakteri i saj monoetnik dhe juridiksioni i kufizuar vetëm mbi supozuarat krime të UÇK-së, duke injoruar gjenocidin dhe krimet serbe, e bën këtë gjykatë të perceptohet më shumë si instrument politik sesa si organ i paanshëm drejtësie.
Që nga fillimi, Gjykata Speciale ka manifestuar shkelje procedurale dhe materiale të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të drejtën penale: zvarritje të procedurave, paraburgim arbitrar, refuzime sistematike të lirimit me kusht dhe mungesë transparence. Për këto shkelje, kohë më parë në kuadrin e platëformës”Liria ka Emër”, kemi publikuar 30 shkeljet e Gjykatës Speciale.Këto elemente kanë cenuar besimin e publikut kosovar në këtë tribunal. Kosova, megjithatë, ka demonstruar një model unik bashkëpunimi me drejtësinë ndërkombëtare: asnjë qytetar nuk ka shmangur ndonjë proces gjyqësor, dhe liderët më të lartë të UÇK-së u vetëdorëzuan vullnetarisht. Ky akt kërkon reciprocitet nga Gjykata Speciale për të zhvilluar procese të shpejta, transparente dhe të drejta. Nëse këto standarde respektohen, pritet shpallja e pafajësisë së udhëheqësve të UÇK-së dhe njohja ndërkombëtare e luftës çlirimtare të Kosovës.
Ky libër nuk synon ndërhyrje në punën e Gjykatës, por ofron një analizë kritike profesionale dhe objektive, duke trajtuar sfidat reale të drejtësisë tranzicionale në Kosovë. Ai nuk përfaqëson qëndrime institucionale, por është reflektim personal i autorit mbi këto zhvillime.Libri ka 600faqe dhe përmban 12 kapituj tematikë, të shoqëruar me hyrje, rezymenë dhe regjistrin e literaturës:
1. Një retrospektivë historike – nga aneksimi i Kosovës deri te themelimi i Gjykares Speciale
2. Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – kualifikimi juridik dhe dëshmitë.
3. Paraqitja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – roli politik dhe ushtarak.
4. Themelimi i Gjykatës Speciale – historiku, baza ligjore dhe juridiksioni.
5. Organizimi dhe funksionimi i Gjykatës Speciale – përzgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
6. Vështrim kritik mbi Gjykatën Speciale – analiza e tendencave për rishkrimin e historisë.
7. Kufizimi i sovranitetit të Kosovës nga juridiksioni i Gjykatës.
8. Tridhjetë shkeljet e Gjykatës Speciale – shkeljet materiale dhe procedurale.
9. Aktakuza mbi “Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale (NPK)” – argumentet mbi pabazueshmërinë e saj.
10. Shkeljet e të drejtave themelore – raporti me Kushtetutën dhe KEDNJ-në.
11. Kritikat ndërkombëtare ndaj Gjykatës Speciale – nga figura politike dhe organizata ndërkombëtare.
12. Analiza juridike e rasteve penale – shqyrtim i detajuar i rasteve Thaçi dhe të tjeret, Mustafa, Shala, Haradinaj-Gucati etj.
Ky libër, përveç versionit të plotë në shqip, botohet edhe në një version të shkurtuar në anglisht për audiencën ndërkombëtare. Ai është i destinuar për studentët e drejtësisë, juristët, studiuesit e shkencave politike dhe për opinionin ndërkombëtar që kërkon një reflektim të qartë mbi luftën e Kosovës dhe sfidat e drejtësisë tranzicionale.
Shpreh mirënjohje të veçantë për recensentët, redaktorin dhe lektorin për profesionalizmin dhe sugjerimet e vyera, si dhe për kolegët që ofruan mbështetje dhe komente konstruktive. Pa këtë bashkëpunim, ky libër nuk do të kishte arritur nivelin aktual akademik.
Libri do të dal nga shtypi gjatë muajit shtator, kur do të jetë në duartë e lexuesve të interesuar.