Kreu i Institutit për Studime të Sigurisë “Octopus”, Agim Musliu, ka akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq për manipulime politike të qëllimshme me qëllim të ruajtjes së pushtetit dhe bllokimit të funksionalitetit institucional në veri të Kosovës, përmes instrumentalizimit të Listës Serbe. Sipas Musliut, gjatë dy viteve të fundit, Vuçiq dhe Lista Serbe kanë investuar energji të konsiderueshme për të minuar institucionet në komunat veriore, duke e portretizuar Prishtinën si fajtore për situatën dhe duke ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj shteteve të QUINT-it që Kosova të bëjë lëshime politike. “Rezultati? Vetëm humbje kohe për partnerët ndërkombëtarë dhe një përpjekje e dështuar për ta paraqitur veten si ‘mbrojtës’ të serbëve të Kosovës,” deklaroi Musliu. Ai shton se rikthimi i Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit është një tentativë e Vuçiqit për të “legalizuar” një gjendje të krijuar më parë me qëllim bojkotin dhe tensionimin e situatës në veri. “Ky është Vuçiq: fillimisht i nxjerr serbët nga institucionet, më pas i kthen aty, duke përdorur këtë lëvizje si kartë negociuese me SHBA-në dhe BE-në,” theksoi Musliu.
