leoni

Bedri Halimi: DISA FJALË RRETH DISA PASAKTËSIVE TË ANALIZËS SË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS

Bedri Halimi: SI JANË NDËSHKUAR TRADHËTARËT NË EVROPË

Termi kolaboracionizëm u fut në fjalorin politik pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (nga frëngjishtja collaboration-bashkëpunim). Me këtë fjalë nënkuptohej bashkëpunimi i qeverisë franceze të Vishisë (kryesuar nga mareshali Peten) me pushtuesit gjermanë, e që pastaj filloi të përdorej më gjërë.

Ngjashëm me këtë term, filloi të përdorej edhe fjala “kuisling”. Kjo fjalë erdhi nga emri i ish kryeministrit të Norvegjisë, V. Kuislingut, gjatë periudhës së pushtimit gjerman. Kuptimi i kësaj fjale, merret si modeli më i përkryer i bashkëpunimit të një njeriu si shërbyes me pushtuesit.

Kështu që nga ajo kohë, për shumë popuj në vendet me demokraci të vërtetë, kolaboracionistët janë turp kombëtar.

Pra esenca e fjalëve kolaboracionizëm dhe kuisling është “tradhëtia kombëtare”, që si fakt historik dhe fenomen ka ekzistuar prej shekujsh, por gjatë Luftës së Dytë Botërore u shfaq në përmasa dhe forma të papara deri atëherë. Tradhëtia, historikisht është shfaqur në forma të ndryshme, të jetës politike, ushtarake, ekonomike, kulturore, arsimore, shkencore etj. Studiuesit e kësaj fushe përcaktojnë disa lloje kolaboracionizmi: ushtarak, administrativ, ekonomik, intelektual, ideologjik, shpirtëror, seksual etj.

Kolaboracionizmi politik: nënkupton bashkëpunim me armikun, mbi bazën e parimeve ideore (krijimi i partive dhe lëvizjeve politike të ngjashme me partinë e pushtuesit, siç kanë qenë rastet me fashizmin apo nazizmin).

Kolaboracionizëm ushtarak: inkuadrimi i njeriut (njerëzve) në reparte ushtarake e policore dhe pjesëmarrja e tyre në luftë kundër bashkatdhetarëve të tyre. Kolaboracionizmi administrativ: formë e bashkëpunimit me armikun përmes pjesëmarrjes në organet e ndryshme, të kontrolluara dhe drejtuara nga pushtuesit, duke filluar nga qeveria e deri tek administrata lokale.

Kolaboracionizmi ekonomik: bashkëpunimi në fusha të ndryshme ekonomike në interes të pushtuesit.

Kolaboracionizmi kulturor: bashkëpunimi me pushtuesit në sferën e kulturës, pra shpirtërore, që i shërben përhapjes së propagandës ideo-politike të pushtuesit.

Kolaboracionizëm seksual: marrëdhënie intime të vajzave apo grave me oficerë, ushtarë apo nëpunës të pushtuesit.

Kështu gjatë luftës së dytë botërore si më i rrezikshmi, është konsideruar kolaboracionizmi ushtarak, që është realizuar ushtarakisht, duke vrarë bashkatdhetarët e vet ose përfaqësues të forcave të Koalicionit Antifashist.

Në vazhdimet e ditëve në vijim, do të shohim se si janë trajtuar tradhëtarët nga disa shtete të Evropës.

QËNDRIMI I FRANCËS NDAJ TRADHËTARËVE GJATË DHE PAS LUFTËS DYTË BOTËRORE

Franca ka qenë vendi që ka vuajtur më së shumti nga tradhëtarët. Prandaj edhe qëndrimet dhe dënimet në Francë ndaj tradhëtarëve kanë qenë të pamëshirshme. Urrejtja ndaj tradhëtarëve te shteti dhe populli francez ishte aq e madhe sa që me çdo kusht kërkohej që spastrimet e dënimet ndaj tradhëtarëve të ishin të ashpra dhe të shpejta. Për këtë, Asambleja Konsultative e Francës, në gusht-shtator 1944, aprovoi dy ligje për dënimin e atyre që “i kishin dhënë ndihmë Gjermanisë dhe aleatëve të tyre, që kishin dëmtuar unitetin kombëtar, të drejtat dhe barazinë e shtetaseve francezë”.

Nga të dhënat zyrtare, në Francë u zhvilluan 170 mijë procese gjyqësore ndaj tradhëtarëve. U dënuan 120 mijë vetë, prej të cilëve 4785 vetë u dënuan me vdekje. Në 4 muajt e parë, mbas çlirimit të Parisit, u dënuan me vdekje 6763 vetë prej të cilëve 1500 janë ekzekutuar menjëherë. Padyshim se këto shifra nuk japin gjithë pasqyrën reale të tërë ngjarjeve, sepse, në bazë të vlerësimeve të qeverisë franceze, ne ditët e para të çlirimit të Francës, mbas një procesi të shkurtër gjyqësor janë dënuar dhe ekzekutuar rreth 4500 tradhëtarë të tjerë. Disa studiues thonë se në Francë janë ekzekutuar me gjyqe të rregullta, gjyqe të shpejtuara ose pa gjyqe, 20-30 mijë tradhëtarë.

Shteti dhe populli francez përndoqi dhe dënoi të gjitha ato femra franceze, që kishin pasur marrëdhënje intime me pushtuesit gjermanë, ku krahas denimeve tjera për këtë “kolaboracionizëm horizontal” si është quajtur me ironi, janë qethur zero mbi 20 mijë prej tyre…

Mareshali Peten dhe Pjer Laval, u dënuan me vdekje, por për arsye moshe, Petenit ju fal jeta dhe ju kthye me burgim të përjetshëm.

Gjykimet ndaj tradhëtarëve kanë vazhduar deri në v.1949, kur me urdhër të presidentit De Gol, u ndërprenë.

QËNDRIMI I HOLANDËS NDAJ TRADHËTARËVE GJATË DHE PAS LUFTËS DYTË BOTËRORE

Edhe holandezët kanë qenë tepër të prerë e kategorikë në gjykimet ndaj tradhëtarëve. Qeveria Holandeze qysh gjatë qëndrimit në Londër, kishte filluar përgatitjet për “spastrimin e madh”. Ajo kishte bërë ndryshimet e duhura në Kodin Penal, ku në kodin e ri ishte përfshirë dënimi me vdekje për tradhtarët e atdheut. Për këtë arsye janë arrestuar 200 mijë vetë, gjysma e të cilëve më vonë u liruan. U krijuan “Gjykata speciale” të cilat kanë funksionuar deri në vitin 1950. Gjatë këtyre procesve, mbi 200 vetë janë dënuar me vdekje, rreth 5000 vetë janë dënuar nga burgim i përjetshëm deri në 5 vjet, ndërsa 6000 të tjerë deri 5 vjet burg. Po për shkak të tradhëtisë 17500 nëpunës u pushuan nga puna, ndërsa 6000 të tjerëve u dhanë masa disiplinore. Ndër të dënuarit me vdekje ishte edhe ish kryeministri A. Mjusert, si dhe disa ish ministra, të cilët u dënuan për tradhti të lartë ndaj atdheut.

QËNDRIMI I NORVEGJISË NDAJ TRADHËTARËVE GJATË DHE PAS LUFTËS DYTË BOTËRORE

Në Norvegji në kuadrin e ashtuquajtur të “spastrimit kombëtar”, fillimisht kishte pengesa kushtetuese, sepse, sipas Kodit Penal të v. 1902 nuk parashikohej dënim me vdekje. Pastaj duhej përcaktuar qartë statusi politik i Norvegjisë në periudhën e pushtimit 1941-1945, nëse Norvegjia ishte e pushtuar apo ishte në gjendje lufte me Gjermaninë, sepse Mbreti dhe Qeveria kishin emigruar në Angli para pushtimit. Por këto “pengesa” u kapërcyen lehtë  nga shteti norvegjez dhe trdhëtarët u arrestuan menjëherë sipas listave të hartuara paraprakisht nga luftëtarët e rezistencës. Norvegjia konsiderohet shteti ku tradhëtarët janë dënuar më së rëndi në Europë. Edhe pse një vend me popullsi prej rreth 3.3 milionë banorë, në Norvegji u akuzuan për tradhëti kombëtare 92 mijë vetë. Para gjykatave u qiten 46 mijë tradhëtarë, prej të cilëve 37150 vetë u dënuan me afate të ndryshme burgimi, kurse 60 vetë u dënuan me vdekje, ndër të cilët edhe kryeministri Kuisling i cili u ekzekutua në sy të masave popullore, të kërkonin me ngulm që ta shihnin me sytë e tyre vdekjen e tij.

Gjithashtu nga populli u urrejtën mbi 50 mijë vajza e gra që kishin pas marrëdhënie intime me oficerë apo ushtarë gjermanë, 14 mijë prej të cilave kishin lindur fëmijë nga këto marrëdhënie. Të gjitha këto u arrestuan, ku 5 mijë prej tyre u dërguan nëpër kampe përqendrimi. Ishte planifikuar të bëhej internimi i tyre në Australi, por qeveria australiane nuk i pranoi. Urrejtja për tradhëtarët kishte arritur deri aty, sa që edhe fëmijët e lindur nga marrëdhëniet e norvegjezeve me ushtarakët gjermanë, iu nënshtruan ofendimeve, sharjeve, fyerjeve, keqpërdorimeve e deri tek mbyllja nëpër spitale psikiatrike.

QËNDRIMI I DANIMARKËS NDAJ TRADHËTARËVE GJATË DHE PAS LUFTËS DYTË BOTËRORE

Në Danimarkë menjëherë mbas çlirimit u arrestuan 20 mijë vetë të akuzuar për kolaboracionizëm. Më 1 qershor 1945 parlamenti danez, ratifikoi një ligj të ri që parashikonte dënime të rënda për bashkëpunëtorët e pushtuesve. Para gjyqit dolën dhe u dënuan 15742 vetë, nga të cilët 3641 vetë me mbi 4 vite burgim, 62 vetë me burgim të përjetshëm dhe 78 vetë me vdekje.

QËNDRIMI I BELGJIKËS NDAJ TRADHËTARËVE GJATË DHE PAS LUFTËS DYTË BOTËRORE

Në Belgjikë kolaboracionistët u ligjëruan “me shtetësi të humbur’, madje u vu në përdorim një term i ri, “joshtetas” (pa shtetësi). Sot duken të pabesueshme ato që kanë ndodhur atëherë. Rreth 600 mijë vetë u vunë në listat e të dyshuarve si bashkëpunëtorë të pushtuesit. Para gjykatave u nxorën 57 mijë vetë, nga të cilët u dënuan 23584 vetë për “kolaboracionizëm politik”, 31831 vetë për “ndihmë ushtarake” pushtuesve, ndërsa 20652 personave ju hoqën të drejtat civile. 42 vetë u dënuan me vdekje, disa prej tyre u ekzekutuan në prani të turmave. Rreth 2 mijë vetë u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa rreth 5 mijë vetë u dënuan me nga 10 deri në 20 vjet.

Për disa vite mbas lufte, çdo belg që donte të zinte një vend pune, ka qenë i detyruar të merrte një certifikatë garancie politike, ku kryesorja ishte qëndrimi i tij gjatë luftës…

QËNDRIMI I LUKSEMBURGUT NDAJ TRADHËTARËVE GJATË DHE PAS LUFTËS DYTË BOTËRORE

Në Luksemburg, janë dënuar për kolaboracionizëm rreth 10 mijë vetë, nga të cilët 12 prej tyre me vdekje.

QËNDRIMI I ÇEKOSLLOVAKISË NDAJ TRADHËTARËVE GJATË DHE PAS LUFTËS DYTË BOTËRORE

Ekzekutimi i kolaboracionistëve në Çekosllovaki kishte filluar pa mbaruar lufta. Kjo lidhej me faktin se rreth 3 milionë gjermanosudetë që u dëbuan, ndaj tyre u aplikua “përgjegjësi kolektive”. Në shumicën e rasteve, ngjarjet atje janë zhvilluar në mënyrë spontane, megjithëse ligjërisht ato mbështeteshin në dekretet e Presidentit Benesh, të nxjerra gjatë verës dhe vjeshtës së v. 1945, e konkretisht në “Dekretin e ndëshkimit të madh”, mbi bazën e të cilit u krijuan Gjykatat Popullore.

Lidhur me numrin e viktimave nga radhët e gjermanëve të Çekosllovakisë, janë dhënë shifra të ndryshme, por komisioni i përbashkët çeko-gjerman, i krijuar për këtë qellim, ka arritur në përfundimin, se gjatë dëbimit të tyre nga Çekosllovakia, në vitet 1945-1947, janë vrarë 20 – 30 mijë vetë, por numri më i madh i tyre janë eliminuar, ditët e para mbas largimit të pushtuesve gjermanë, apo siç është quajtur, gjatë “dëbimit të egër”.

Shifrat e studiuesve çekë, flasin për rreth 100 mijë vetë të dënuar, që vlerësohet si një ndër vendet me qëndrim ndër më radikalët. Sipas të dhënave zyrtare, atje janë dënuar 713 vetë me vdekje dhe 741 me burgim të përjetshëm, ndërsa mijëra të tjerë me afate të ndryshme burgimi.

QËNDRIMI I AUSTRISË NDAJ PËRKRAHËSVE TË NAZIZMIT PAS LUFTËS DYTË BOTËRORE

Në Austri u shpallën 130 mijë vetë në kërkim, nga të cilët 23 mijë iu nënshtruan proceseve gjyqësore, ku u dënuan 13.600 vetë, ndër të cilët 43 vetë me vdekje.

QËNDRIMI I VATIKANIT NDAJ KRYEMINISTRIT TË “REPUBLIKËS SLLOVAKE”

Tërheq vëmendjen qëndrimi i Vatikanit ndaj kryeministrit të “Republikës Sllovake” Tiso. Për qëndrimin e mbajtur gjatë luftës, Vatikani e dënoi, sipas ligjeve të tij, vendosi ta hiqte nga lista e prelatëve, madje siç shkruajnë disa studiues edhe e shkishëroi…

QËNDRIMI I BASHKIMIT SOVJETIK NDAJ KOLABORACIONISTËVE

Sipas të dhënave të institucioneve zyrtare ruse, të botuara mbas viteve 90-të, në periudhën 1945-1953 në B. Sovjetik janë arrestuar 164 mijë vetë të akuzuar si kolaboracionistë.

Në ndryshim me shumë vende të tjera ku personat që kalonin në anën e armikut dënoheshin me burgime të gjata deri në dënim me vdekje, udhëheqja sovjetike, për shumë arsye, për shumicën e kolaboracionistëve vendosi dënimin e tyre me gjashtë vjet internim në kampet e përqendrimit. Në fillim të v. 1951 në këto kampe numëroheshin 355 mijë kolaboracionistë.

Në shtator të v. 1955 Presidiumi i Sovjetit Suprem nxori dekretin “Mbi amnistinë shtetasve sovjetikë që kishin bashkëpunuar me pushtuesit gjatë Luftës Patriotike 1941-1945”.

Studiues të ndryshëm japin të dhëna të ndryshme për dënimet e kolaboracionistëve sovjetikë, por të dhëna të sakta, sipas tyre, nuk mund të jepen sepse shumë dokumente e materiale të asaj periudhe mbahen akoma në arkiva të pahapura.

P.S.

Po në Kosovë, a kishte tradhëtarë? Si u trajtuan tradhëtarët? Fakti i burgosjeve të pjestarëve të luftës çlirimtare, tregon se tradhëtarët në mesin e shqiptarëve nuk janë trajtuar fare, prandaj, në vend se të jepnin llogari ligjore për të bëmat e tyre antikombëtare, në vend të tyre, po kërkohet llogari nga pjestarët e çlirimtarëve, ku dëshmitarë janë pikërisht njerëz shqiptarë, numri i të cilëve kundër pjestarëve të UÇK-së, është më i madh se numri i dëshmitarëve shqiptarë në procesin e Millosheviqit.

Dhe jo vetëm kaq! Dëshmitë e shumë prej tyre janë të harmonizuara me institucionet okupuese serbe, BIA e Prokuroria e Serbisë.

Kontrolloni gjithashtu

JAMES W. PARDEW formësoi dhe firmosi marrëveshjen e Ohrit, si e tillë nuk guxon të preket

Në vitin 1997, presidenti Bill Clinton, një demokrat, e emëroi Pardew si përfaqësues të SHBA …