Ermina Lekaj-Prljaskaj: Kosova, Shqipëria dhe Kroacia drejt konkretizimit të marrëveshjes në fushën e mbrojtjes

Ish-deputetja në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj-Prljaskaj, në një intervistë për KosovaPress, e vlerësoi këtë nismë si strategjike, sidomos në kontekstin aktual gjeopolitik. Ajo theksoi se Kroacia si vend anëtar i NATO-s mund të luajë rol të rëndësishëm në përgatitjen e ushtrisë së Kosovës dhe në rrugën e saj drejt Partneritetit për Paqe. Kosova, Shqipëria dhe Kroacia pritet të konkretizojnë së shpejti një marrëveshje të rëndësishme në fushën e mbrojtjes, që synon të rrisë ndërveprueshmërinë mes ushtrive të tri shteteve. Deklarata për bashkëpunim u nënshkrua më 18 mars në Tiranë, ndërsa marrëveshja përfshin stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe blerje të përbashkëta armatimi. Prljaskaj kritikoi ashpër reagimet e Beogradit, i cili e cilësoi marrëveshjen si “provokim”, duke e akuzuar Serbinë për nxitje të konflikteve rajonale dhe lidhje të ngushta me Rusinë. Nga ana tjetër, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se marrëveshja nuk është kërcënim për askënd, por një mesazh për ata që synojnë destabilizimin e rajonit. Prljaskaj theksoi nevojën që Kosova të formojë sa më shpejt institucionet e reja, pasi vazhdimi i krizës politike po rrezikon projekte të rëndësishme për sigurinë kombëtare, në një kohë me zhvillime të paparashikueshme në rajon.

Kontrolloni gjithashtu

Tri ditë para zgjedhjeve, partitë intensifikojnë fushatën me tubime në mbarë Kosovën

Me vetëm tri ditë të mbetura deri në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, partitë politike …