leoni

Epir Qeriqi: Qemajl Aliu dhe përpjekja për linçim publik ndaj kryesuesit të komisionit, z. Ruzhdi Jashari

Nuk kam pasur dëshirë të merrem aspak me këtë emër të përveçëm dhe e kam kursyer për afërsisht 4 vite të qeverisjes së tij, të cilit fatkeqësisht para katër vitesh ia kam besuar qeverisjen e Shtimes me votën time si qytetar. Sot pendohem për mundësinë që ia kam dhënë dhe këtë duhet ta pranoj publikisht. Por unë udhëhiqem nga sentenca: “Më mirë me qenë i tradhtuar se sa tradhtar.”
Sot, shtyhem të flas publikisht edhe më i vendosur se asnjëherë më parë. Nuk mund të pranoj me asnjë çmim tendencën për shpëlarje të Qemajl Aliut përpara opinionit, përmes uzurpimit të mikrofonit në seancën e Kuvendit Komunal në Shtime më dt. 25.08.2025, ku tentoi të etiketojë rëndë veprimtarin e njohur z. Ruzhdi Jashari, të cilit përmes spikerit të tij Adnan Ademaj ia mohuan të drejtën për të dhënë argumentet e tij.
Por si qëndron e vërteta e implikimit drastik të Qemajl Aliu në ndërhyrjen flagrante të këtij komisioni? Ja, do ta sqaroj tërë skemën të cilën e kishte ideuar Qemajl Aliu, por për fatin e mirë nuk i shkrepi me Ruzhdi Jasharin.
Qemajl Aliu, i cili betohej në nderin dhe dinjitetin e tij në seancën e Kuvendit Komunal në Shtime më dt. 25.08.2025, se nuk kishte asnjë implikim në këtë proces, më dt. 16 mars 2025 – vetëm dy ditë para takimit të Komisionit për Shqyrtimin e Kërkesave dhe Emërtimin e Objekteve Publike (i cili pritej të mbahej më dt. 18 mars 2025) – e thërret në telefon Ruzhdi Jasharin, duke i thënë se do ta takojë dhe se tek zyra e LVV-së në Shtime e pret Besnik Seferi.
Të tre së bashku shkuan në Koshare, në restorantin “Primavera”. Qemajl Aliu i kërkon kryesuesit të komisionit që t’i propozojë secilin objekt me emrat që ai ia kishte listuar në këtë takim. Shtëpia e Kulturës në Shtime – me theks të veçantë – i kërkon të emërtohet me emrin e regjisorit të ndjerë Fahri Hysaj, me arsyetimin se ishte edhe premtim i tij për familjen dhe të tjerë.
Pra, Qemajl Aliu mund të pohojë se këto janë fabrikime, por e vërteta qëndron se së bashku me Besnik Seferin kanë pritur z. Jasharin, kanë shkuar në restorant “Primavera” në Koshare dhe gjatë bisedës ka thënë se “Unë jam kryetari i Shtimes dhe unë vendos kështu.” Pas reagimit të Ruzhdi Jasharit: “Atëherë bëhu ti edhe kryetar komisioni dhe vendos pra këta emra,” – Qemajl Aliu ia kthen se: “Nëse nuk ndodh kjo, unë nuk i procedoj në kuvend.” Në përfundim të takimit i kërkon të shkojë edhe në zyrën e tij, gjë që z. Jashari nuk e ka pranuar.
Pra, nëse Qemajl Aliu pretendon se këto nuk qëndrojnë, është i lirë që të bëjë padi për shpifje. Por edhe unë kërkoj që, për këtë ndërhyrje flagrante që ka bërë Qemajl Aliu nga pozita e kryetarit të komunës, të thirret kryesuesi i komisionit së bashku me një anëtar komisioni – Besnik Seferi, asamblist i komunës së Shtimes – për të propozuar emërtimin e objekteve publike me rekomandimet e tij dhe me emra të përveçëm për secilin institucion, kërkoj nga Prokuroria e Republikës së Kosovës të angazhohet dhe ta hetojë këtë rast, sepse Qemajl Aliu nuk mund dhe nuk do të ketë shansin të shtrembërojë historinë e kësaj treve me asnjë çmim.
Puritanizmi i Qemajl Aliut në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Shtimes më dt. 25.08.2025 dhe i asamblistit të tij që betoheshin në nder e dinjitet, rezultoi me thirrje dhe presion paraprak më dt. 16 mars 2025. Për këtë është dëshmitar z. Ruzhdi Jashari, thirrjet telefonike dhe vetë takimi i dt. 16 mars 2025, i cili në fakt rezultoi me pengimin e komisionit nga Qemajl Aliu, duke ndaluar tre anëtarët e komisionit dhe duke bërë që të dështonte ky komision, meqë Qemajl Aliu kishte kuptuar që fryma e anëtarëve të komisionit ishte që Shtëpia e Kulturës të emërtohej me emrin e veprimtarit Ahmet Qeriqi.
Sot vendosa ta bëj këtë reagim në shenjë revolte, sepse Qemajl Aliu, përkundër që goditi pabesisht dhe aq pandershmërisht z. Ruzhdi Jasharin në mbledhjen e dt. 26.08.2025 duke mos i dhënë hapësirë as të replikonte, për më tepër ka vendosur t’i bëjë një gjyq publik Ruzhdi Jasharit sot, më dt. 27.08.2025, në ora 11:00 në zyrën e tij.
Përmes shefes së kabinetit të tij, znj. Anita Kurti, na ka ftuar që të takohemi në një takim të përbashkët për të diskutuar me familjarët e personaliteteve që kanë propozuar për emërtimin e objekteve publike në komunën e Shtimes. Sipas kësaj ftese, në takim do të diskutohet dhe sqarohet puna e komisionit që nga fillimi deri tani.
Por në këtë ftesë, që Qemajl Aliu dëshiron ta shpërlajë veten e tij në një moçal të cilin e ka kurdisur vetë, nuk tregon që nuk e ka ftuar vetë kryesuesin e komisionit. Aty do të përpiqet të shfajësojë veten e tij dhe në të njëjtën kohë të linçojë figurën e z. Ruzhdi Jasharit, i cili e demantoi këtë proces nga pozita e kryesuesit të komisionit.
Si përfundim:
Qemajl Aliu, koha të shpërfaqi dhe ti nuk mundesh t’i bësh bashkë në një tryezë të gjithë, përpos atyre që mendojnë dhe rezonojnë si ti.

Kontrolloni gjithashtu

Ismet Hajrullahu

Ismet Hajrullahu; Kosovë, më thuaj si je?!

Kosovë, më thuaj si je, sepse nuk po të njoh më, nuk po të ndjej …