Kosova, Shqipëria dhe Kroacia drejt blerjeve të përbashkëta të armatimit nga ShBA-ja

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po hyjnë në një fazë të re të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, duke kaluar nga deklaratat e përbashkëta në hapa konkretë për blerjen e armatimit. Tri shtetet kanë nisur procesin e koordinimit për furnizim të përbashkët me kapacitete mbrojtëse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës është konfirmuar se takimi i parë trelateral tashmë është mbajtur dhe janë duke u hartuar aktivitetet e përbashkëta, ku përfshihen edhe blerjet bazuar në kërkesat e secilës forcë ushtarake. Pas finalizimit, marrëveshja do të nënshkruhet nga të tri shtetet. Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, e vlerëson këtë marrëveshje si tejet të favorshme, duke theksuar se blerja e përbashkët ul koston, e lehtëson furnizimin dhe rrit interesimin e prodhuesve për ofrim të shpejtë dhe cilësor të armatimit. Ndërsa ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, theksoi se partneriteti me ShBA-në është jetik për të ardhmen e ushtrisë së Kosovës dhe për mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit. Ky zhvillim vjen në kohën kur Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar kontingjentin e dytë prej 50 autoblindave të reja nga ushtria amerikane, duke forcuar më tej kapacitetet mbrojtëse të saj.

Kontrolloni gjithashtu

AAK përjashton nga grupi parlamentar kryetarin e Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha

Kryetari i Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, është përjashtuar nga Grupi Parlamentar i Aleancës për …