Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dalë në mbrojtje të bashkëshortit të saj pas deklaratave të tij të hënën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilat u cilësuan të ashpra dhe skandaloze. Arber Krasniqi kishte akuzuar diplomatët e huaj në Kosovë se, sipas tij, për interesa personale po ndihmojnë një organizatë kriminale, duke iu referuar Listës Serbe. Deklarata shkaktoi reagime të forta, përfshirë edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë. Kur u pyet lidhur me qëndrimin e Gjykatës Supreme, Haxhiu tha se këto ishin pozicione të Vetëvendosjes, por shmangu përgjigjen direkte kur u ballafaqua me deklaratën e ambasadorit gjerman, Jorn Rohde. Ky i fundit kishte ironizuar qasjen e institucioneve kosovare duke thënë se do të ishte më mirë të merreshin me problemet e trafikut në Vushtrri sesa me ura të panevojshme. Haxhiu reagoi duke e cilësuar si të papranueshme një deklarim të tillë nga një diplomat:
“Gabim. Nuk është kjo çështje e ambasadorit gjerman. Nuk mundet të na tregojë ambasadori se çfarë të bëjmë. Paramendoni sikur ambasadori ynë në Gjermani të bënte komente të tilla, menjëherë do të kërkohej tërheqja e tij.” Megjithatë, ambasadori Rohde kishte aluduar jo për çështje të infrastrukturës lokale, por për mënyrën e qeverisjes në veri të vendit nga ekzekutivi aktual, duke e thelluar më tej debatin mes qeverisë dhe diplomacisë gjermane.
