Shkollat tanimë në të gjithë Zvicrën kanë filluar mësimet dhe mësimdhënësit i kanë mirëpritur nxënësit e tyre. Po kështu, edhe procesi mësimor në gjuhën shqipe ka filluar në shkollat zvicerane. Mësimdhënës të përkushtuar janë përgatitur dhe ua kanë uruar nxënësve të tyre mirëseardhjen, duke i nxitur e motivuar ata që të mësojnë sa më shumë dhe njëkohësisht duke ftuar edhe nxënës të tjerë të vijnë në shkollat shqipe.
Gjuha shqipe gjithnjë e më shumë po e merr rëndësinë që e ka, sidomos për ne shqiptarët në mërgatë, por pse jo edhe për të huajt, meqë ajo është një gjuhë e lashtë, e folur dhe e trashëguar që prej stërgjyshërve tanë ilirë e deri te ne shqiptarët. Ajo e ka mëkuar shpirtërisht shqiptarin brez pas brezi për ta mbajtur të gjallë e të fortë qenësinë e tij, rrënjët e tij, natyrshmërinë kulturore dhe vetitë më të mira njerëzore, si dhe pasurinë e madhe ilire – arbëreshe – shqiptare.
Pra, ajo natyrshëm na e mëson jo vetëm artikulimin e bukur të tingujve tanë, të fjalëve tona, por edhe na ruan identitetin – shqiptarësinë tonë.
Ja sa e rëndësishme është gjuha jonë! Ndaj urojmë që sa më shumë shqiptarë t’i çojnë fëmijët e tyre në shkollat shqipe.
Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare shkëlqejnë, kur ka mësimdhënës të përkushtuar që kanë forcën dhe gatishmërinë, dëshirën dhe vullnetin, përkushtimin dhe dijen, aftësinë dhe emocionet e mira për të dhënë kënaqësi dhe për të arritur suksese me nxënësit. Të tillë janë mësimdhënësit e shquar e të dashur si: Vaxhid Sejdiu, Minire Azemi, Anita Duriçi, Qefsere Sejdiu dhe shumë e shumë të tjerë që mblidhen e bashkëveprojnë në një përbashkësi sa të rëndësishme aq edhe krenare, të quajtur “Shkolla Shqipe” në Zvicër.
Ashtu si shumë mësimdhënës të kësaj përbashkësie, edhe mësuesja Minire Azemi ka një përvojë të gjatë e me suksese të ndjeshme. Ajo është një mësimdhënëse që di jo vetëm të realizojë me sukses orët mësimore, por edhe të krijojë afërsi me nxënësit. Kështu ajo i përvetëson, i edukon dhe arrin suksese. Këto suksese duken edhe në komunikimet me prindërit e me njerëzit, duke i bindur me punën e saj se gjuha shqipe duhet të jetë gjuha që fëmijëve tanë ua ushqen ndjenjën e dashurisë dhe zemrën për të qenë gjithmonë shqiptarë të mirë e qytetarë të denjë të botës sonë.
Fishta, duke qenë poet i madh e duke përçuar dashuri për gjuhën shqipe, na porosit:
“Nëpër gjuhë shqipe bota mbarë
Ka me ju njohtë se ç’fis keni,
Ka me ju njohtë për shqiptarë…
Prandaj, pra, nëse e doni fisin,
Mali, bregu edhe malësia,
Prej një goje sot t ‘brohorasim:
Me gjuhë t ‘vetën, rroftë Shqipnia!”
Mësuesja Minire Azemi i fton bashkatdhetarët tanë në Zvicër t’i dërgojnë fëmijët në shkollat shqipe, sepse përveç mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës sonë, ata do të gjejnë edhe dashurinë e përkushtimin për fëmijët nga mësimdhënësit e tyre, si prindër të dytë.
Me shumë kënaqësi e mirënjohje mësuese Minire Azemi ju fton t’i dërgoni fëmijët në shkollë.
“SHKOLLA SHQIPE”
NË VENDBANIMIN BAAR
Tel. 0041 78 894 52 68
E – mail [email protected]