Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën. Ai e ka cilësuar komunikatën e Ambasadës Amerikane si jashtëzakonisht shqetësuese për vendin. “Është jashtëzakonisht shqetësuese komunikata nga Ambasada Amerikane për vendin tonë që posa e lexova. Kosova, pa dialog të sinqertë e strategjik me SHBA, nuk ka të ardhme. Vendi ynë nuk mund të vazhdojë me këtë politikëbërje infantile, e cila po bëhet shkaktare e pezullimit të Dialogut Strategjik me SHBA,” ka shkruar Pacolli. Ai ka theksuar se në një periudhë të brishtë globale, lidershipi i Kosovës duhet të tregojë maturi dhe pa vonesa të ndjekë udhëzimet e SHBA-së, duke iu rikthyer temave thelbësore të mbrojtjes, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik në partneritet me aleatin kryesor të vendit. Pacolli ka apeluar tek të gjithë aktorët relevantë që të kontribuojnë maksimalisht në rikthimin e marrëdhënieve Kosovë–SHBA në binarë të qëndrueshëm.
