BDI: Maqedonia u tërhoq nga politika evropiane për dy shtete, turp për Qeverinë VMRO-VLEN-ZNAM

BDI: Maqedonia u tërhoq nga politika evropiane për dy shtete, turp për Qeverinë VMRO-VLEN-ZNAM

Në konferencën e sotme për shtyp të Bashkimit Demokratik për Integrim, Reshat Ameti kritikoi ashpër Qeverinë për mënyrën se si Maqedonia e Veriut u pozicionua në sesionin e fundit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Në një moment historik, Maqedonia u tërhoq nga politika evropiane për dy shtete në marrëdhëniet izraelito-palestineze. Kjo është një humbje jo vetëm për shtetin, por edhe për të ardhmen evropiane të të gjithë qytetarëve tanë”, deklaroi Ameti.
Rezoluta për zgjidhje me dy shtete: Palestinë dhe Izrael, e iniciuar nga Franca dhe Arabia Saudite, u miratua me një shumicë dërrmuese: 142 vota “pro”, 10 “kundër” dhe 12 “abstenime”. Maqedonia e Veriut, për fat të keq, u gjend në grupin e 12 vendeve abstenente, së bashku me Etiopinë, Republikën e Kongos, Guatemalën, Fixhin dhe Ekuadorin, dhe jo pranë partnerëve tanë strategjikë Francës, Gjermanisë dhe Italisë, të cilat votuan “pro”.
“Shteti që dikur kishte një qëndrim të qartë-dy shtete të barabarta, Palestinë dhe Izrael, sot hesht dhe rreshtohet pranë vendeve që nuk kanë asgjë të përbashkët me aspiratat tona euroatlantike. Qeveria VMRO-VLEN-ZNAM me këtë e largon popullin nga aleatët e saj të vërtetë dhe e vendos Maqedoninë në anën e gabuar të historisë”, tha Ameti.
Ai veçanërisht kritikoi VLEN-in.
“VLEN flet për paqe dhe për Palestinën në tubime dhe në rrjete sociale, ndërsa në Qeveri hesht dhe mbështet padrejtësinë. Kjo është hipokrizi politike dhe mashtrim ndaj qytetarëve”, theksoi Ameti.
BDI paralajmëroi se ky qëndrim është i rrezikshëm për pozitën ndërkombëtare të shtetit.
“Me këto veprime Qeveria e izolon Maqedoninë dhe e shtyn drejt aleancave të rrezikshme që nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat evropiane. Ky është turp për Qeverinë VMRO-VLEN-ZNAM dhe një tregues i qartë se ky koalicion nuk ka një vizion të qartë as për paqen, as për integrimin evropian, as për sigurinë tonë kombëtare”, nënvizoi Ameti.
BDI do të vazhdojë të jetë zëri i qytetarëve që duan Maqedoninë të jetë një aleat i sigurt i Bashkimit Evropian dhe që nuk pranojnë që shteti ynë të bëhet peng i politikave të errëta pro-serbe dhe pro-ruse.

Kontrolloni gjithashtu

Mijëra qytetar nga trojet etnike dhe mërgata po marrin pjesë në protestën kundër padrejtësisë në Hagë

Mijëra qytetar nga trojet etnike dhe mërgata po marrin pjesë në protestën kundër padrejtësisë në …