James Rubin: Thaçi në Rambuje ishte pa autoritet vendimmarrës, vetëm zë i komandantëve të UÇK-së

James Rubin: Thaçi në Rambuje ishte pa autoritet vendimmarrës, vetëm zë i komandantëve të UÇK-së

Ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin, ka dëshmuar në Hagë se Hashim Thaçi gjatë Konferencës së Rambujesë nuk kishte kompetenca për të marrë vendime në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), por vetëm përcillte qëndrimet e komandantëve dhe strukturave të saj.

Rubin theksoi se Thaçi ishte “fytyra politike” e UÇK-së, një lloj ministri i jashtëm, i cili komunikonte me diplomatët perëndimorë, por nuk kishte asnjë autoritet për vendimmarrje strategjike ose ushtarake. “Ishte absolutisht e qartë për mua se ai nuk kishte as mundësinë e as kompetencën që të vendoste për UÇK-në. Komandantët ishin ata që vendosnin, ai thjesht i përcillte qëndrimet e tyre”, tha Rubin.

Ai kujtoi se Thaçi ishte nën presion të madh nga komandantët në terren dhe nga financuesit e UÇK-së në Evropë, të cilët do ta konsideronin tradhtar nëse nënshkruante një dokument që nuk përfshinte perspektivën e pavarësisë. Sipas tij, ky presion e bënte të pamundur për Thaçin të pranonte formulime që shmangnin termin “pavarësi”, siç kërkonin fuqitë e mëdha për të ndalur luftën.

Rubin përshkroi edhe një moment dramatik gjatë bisedimeve me sekretaren amerikane Madeleine Albright, kur ajo i kërkoi Thaçit të nënshkruante marrëveshjen pa garanci për pavarësinë. “Përshtypja ime ishte se Thaçi gati sa nuk qau. Ai tha se kishte parë me sytë e tij vrasjen e shokëve të tij më të afërt dhe krimet kundër fëmijëve, grave dhe të moshuarve. Megjithatë, përgjigja e tij mbeti ‘jo’”, tha Rubin.

Ai tregoi gjithashtu se gjatë tri javëve të Rambujesë kishte përçarje brenda lidershipit të UÇK-së: një grup i vogël këmbëngulte vetëm për pavarësi, ndërsa shumica pranuan të përafroheshin me kursin e NATO-s dhe Perëndimit. Ky ndarje, sipas tij, bëri që zëri i ekstremistëve të izolohej dhe delegacioni shqiptar të pranojë vijën e Perëndimit.

“Përshtypja ime për Thaçin ishte se ai nuk udhëhiqte, por thjesht pasqyronte vendimmarrjen që bëhej në Kosovë nga një strukturë e fshehur udhëheqëse”, shtoi Rubin.

Ai tha gjithashtu se në ato ditë të ftohta, gjatë një shëtitjeje pas takimeve me Albright, Thaçi kishte refuzuar pallton që Rubin ia kishte ofruar, duke e përshkruar këtë si një detaj njerëzor që tregonte gjendjen emocionale dhe presionin që mbante mbi supe.

Rubin pohoi se marrëveshja përfundimisht u nënshkrua më 18 mars 1999, në raundin e dytë të negociatave, ndërsa përçarjet brenda UÇK-së u tejkaluan përmes orientimit drejt aleancës me NATO-n.

Me këtë dëshmi, Rubin e paraqiti Thaçin jo si një lider me pushtet të plotë, por si një figurë politike të kufizuar nga strukturat ushtarake të UÇK-së, e cila përfaqësonte në arenën ndërkombëtare një lëvizje që kërkonte pavarësi, por nuk kishte ende mekanizmat për ta garantuar atë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri Kurti vazhdon të injorojë Tiranën zyrtare, teksa Shqipëria forcon rolin në mbrojtje

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, prej kohësh po kritikohet për injorimin e Tiranës …