Associated Press raporton për dëshminë e James Rubin në Hagë: Thaçi nuk kishte pushtet vendimmarrës në UÇK

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Associated Press i ka kushtuar një artikull të veçantë dëshmisë së ish-diplomatit amerikan, James Rubin, i cili po paraqitet në Gjykatën Speciale si dëshmitar i parë i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi. AP rikujton se Thaçi dhe tre ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – po gjykohen në Hagë për akuza që përfshijnë vrasje, persekutim, tortura dhe zhdukje me forcë. “Ata vlerësohen gjerësisht si heronj kombëtarë në atdheun e tyre”, thekson raportimi. Duke iu referuar dëshmisë së Rubin, AP citon se ai e përshkroi Thaçin gjatë luftës si “përfaqësues” të UÇK-së, pa autoritet real. “Për mua ishte e qartë se ai nuk ishte përgjegjës. Ai nuk i kishte njohuritë, kapacitetet ose autoritetin për të marrë vendime në çfarëdo forme ose mënyre”, ka thënë Rubin para trupit gjykues. Në artikull kujtohet gjithashtu se Rubin ka qenë pjesë e ekipit të ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, në bisedimet e Rambujesë më 1999, si dhe në procesin e mëvonshëm për çarmatosjen e UÇK-së. AP thekson se Thaçi, i cili pas luftës u ngjit në pushtet dhe u zgjodh president i Kosovës, dha dorëheqje në vitin 2020 për t’u përballur me akuzat në Gjykatën Speciale.

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri Kurti vazhdon të injorojë Tiranën zyrtare, teksa Shqipëria forcon rolin në mbrojtje

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, prej kohësh po kritikohet për injorimin e Tiranës …