Bashkim Hoxhaj: Mungesa e qasjes kritike dhe zotërimit gjuhësor në diskursin publik

Në vitet e fundit, diskursi publik në hapësirën shqiptare është mbushur me zëra që pretendojnë të kontribuojnë përmes “analizave politike” apo “opinioneve” mbi çështje të ndryshme shoqërore dhe politike. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e këtyre ndërhyrjeve dallohet për nivelin e ulët të argumentimit, mungesën e strukturës logjike dhe përdorimin e papërshtatshëm të gjuhës. Në shumë raste, si për nga përmbajtja ashtu edhe për nga mënyra e shprehjes, këto ndërhyrje nuk arrijnë të kapërcejnë nivelin elementar të një nxënësi të mirë të arsimit fillor.

Ky fenomen dëshmon për një mungesë të thellë të qasjes kritike dhe për një mosnjohje bazike të normave të gjuhës standarde shqipe. Është e rëndësishme të theksohet se përdorimi i dialekteve, përfshirë atë gegë, nuk përbën në vetvete problem. Dialektet janë pjesë e pasurisë gjuhësore të shqipes dhe kanë vendin e tyre të ligjshëm në komunikimin e përditshëm dhe në letërsinë artistike. Megjithatë, shqetësimi lind në rastet kur individë që paraqiten si mbrojtës të standardit gjuhësor apo si “analistë” publikë, dështojnë të respektojnë normat më elementare të gjuhës standarde, duke treguar një papërgatitje serioze, si në aspektin gjuhësor, ashtu edhe në atë konceptual.

Për të pasur një diskurs publik të shëndetshëm dhe produktiv, është e domosdoshme që pjesëmarrësit të jenë të pajisur me njohuri themelore të të menduarit kritik dhe me një zotërim të mjaftueshëm të gjuhës. Në mungesë të këtyre elementeve, fjala e lirë humbet funksionin e saj ndriçues dhe shndërrohet në mjet që nxit konfuzionin dhe promovon mediokritetin.

P.S.

Në asnjë rrethanë, mjedis apo rreth shoqëror nuk do të guxoja t’i atribuoj vetes tituj si: Mësues, Profesor, Doktor, Gjeneral, Avokat, Kolonel, Opinionist,  Analist … me atë  nivel gjuhësor dhe konceptual që fatkeqësisht karakterizon shumë prej atyre që i mbajnë këto tituj në diskursin publik sot.

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: PEZULLIMI I PËRKOHSHËM I DIALOGUT STRATEGJIK NGA AMERIKA

Gëzim apo hidhërim?! Kush u gëzua e kush u hidhërua?! Kosova vërtet ka krizë të …