Përjashtimi i pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, për shkak se paskan bërë shaka për sharlatanin Dimal Basha – i cili falë Kurtit dhe partisë së tij u zgjodh kryetar i Kuvendit – na sjell në kujtesë romanin “Shakaja” të shkrimtarit dhe intelektualit të jashtëzakonshëm çek, Milan Kundera!
Në këtë roman, Kundera tregon se si studenti Ludvig Jahn e merr tatëpjetën dhe i shndërrohet jeta në ferr, vetëm për shkak të një humori: ishin rreshtat e tij “Optimizmi është opium për njerëzit” të shkruar në një kartolinë, që ia bënë jetën ferr.
Pse!?
Sepse regjimi totalitar kishte zgjatur tentakulat në çdo sferë të jetës. Ishte regjim që e shihte veten si qeverisje perfekte dhe çdo kritikë ndaj tij – madje edhe humori – konsiderohej si sulm ndaj “perfeksionit”!
A nuk është e tillë edhe mendësia e Albin Kurtit, sejmenëve të tij dhe partisë Vetëvendosje, që besojnë se janë sinonim i patriotizmit, iluminizmit, përparimit e zhvillimit, dhe se kushdo që nuk është si ata duhet të heshtë – përndryshe do të përballet me masa sanksionuese!?
Një shoqëri që nuk tallet me sharlatanizmin e Dimal Bashës dhe shokëve të tij është për keqardhje – sepse tregon se për çfarë sharlatanësh po kultivohet respekti!
Në një qeveri dhe pushtet vërtet atdhetar, soji i sharlatanit Basha jo që nuk do të zgjidhej kurrë në krye të Kuvendit, por sapo do të bëhej e ditur se ishte bashkautor i artikujve “kuazi-shkencorë” kundër më meritoreve për çlirimin dhe pavarësimin tonë – Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – ai do të shkarkohej pa kaluar as 24 orë!
Dje krye-hipokriti Kurti & co. krekosej për trimërinë dhe profesionalizmin shembullor të pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Kosovës ndaj bandës terroriste serbe në veri, ndërsa sot, po këta burra, suspendohen pse paskan bërë shaka me një sharlatan të tij!
Skandaloze, e turpshme, neveritëse… por aspak befasuese!