Në Gjykatën speciale në Hagë ka nisur dëshminë e tij John Duncan, diplomati britanik dhe ish-këshilltar i ngushtë i Komandantit të Forcave të NATO-s, gjeneralit Wesley Clark, gjatë viteve vendimtare 1998–2001. Duncan, i cili për tri vite ka qenë pjesë e strukturave më të larta të vendimmarrjes ndërkombëtare mbi Kosovën, u paraqit sot si dëshmitar i mbrojtjes në procesin gjyqësor kundër ish-presidentit Hashim Thaçi. Përveç angazhimit të tij në NATO, Duncan ka një karrierë të gjerë diplomatike, duke shërbyer në misione të rëndësishme në Sudan dhe Francë. Autoriteti dhe përvoja e tij në fushën e sigurisë dhe diplomacisë i japin një peshë të veçantë dëshmisë së tij, në vijim të dëshmive të personaliteteve të tjera ndërkombëtare si James Rubin, ish-zëdhënës i Madeleine Albright, dhe Paul Williams, ish-këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje. Seancat e kësaj jave do të vazhdojnë deri të mërkurën, për t’u rifilluar të hënën e ardhshme me dëshmitarë të tjerë të mbrojtjes. Procesi po vlerësohet si një moment kyç në ndriçimin e së vërtetës historike rreth luftës çlirimtare të UÇK-së dhe rolit të saj vendimtar në lirinë e Kosovës. Dëshmia e Duncan pritet të forcojë më tej argumentet e mbrojtjes, duke theksuar legjitimitetin dhe karakterin çlirimtar të veprimeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
