leoni

Arbana Qeriqi: Pse nuk duhet votuar Qemajl Aliu?

Deklarata e tij e parë pas fitores në zgjedhjet e kaluara, kur tha se “Shtimja u çlirua”, ishte një thikë pas shpine për qytetarët që i kishin besuar votën. Një lider që përbuz popullin e vet në momentin më solemn të fitores, nuk mund të jetë kurrë përfaqësues i denjë i qytetit. Kjo tregon qartë mentalitetin e tij përçarës dhe mungesën e respektit ndaj atyre që e ngritën në postin e kryetarit.

Andaj, Qemajl Aliu nuk duhet votuar sepse në vend që të bashkonte, ai ka ndarë. Ka ndarë familjet e dëshmorëve, duke i trajtuar me standarde të dyfishta. Ka ndarë veteranët dhe invalidët e luftës, duke i lënë në mëshirë të fatit dhe duke i përdorur vetëm për fotografi e fjalime boshe. Ka ndarë edhe qytetarët e thjeshtë, madje edhe ata që e kishin ndihmuar në fushatë, duke i distancuar sapo ka siguruar postin. Një kryetar që ndërton mure mes njerëzve, nuk mund të ndërtojë kurrë një të ardhme të përbashkët.

Por kush është në të vërtetë Qemajl Aliu? Një “parashutist” politik, i cili ra nga askundi direkt në pozitën e kryetarit të komunës, pa asnjë kontribut paraprak për qytetin. Nuk ka asnjë vepër, asnjë projekt, asnjë përfshirje në kauzat shoqërore të Shtimes. Përkundrazi, ai u shfaq papritur, i mbështetur nga interesa të ngushta, duke e marrë pushtetin si një plaçkë personale.

Në Shtime ka intelektualë të ndershëm, njerëz që kanë dhënë rininë dhe jetën e tyre për ta parë qytetin të lirë, të zhvilluar dhe me mirëqenie. Por për fat të keq, në vend që të përkrahen këta njerëz me vizion e dije, qyteti mbeti nën drejtimin e një individi pa vizion, pa strategji dhe pa kapacitet.

As për nepotizmin nuk ka nevojë të flasim gjatë – sepse shtimjanët e dinë shumë mirë. Të gjithë e dinë se si ka punësuar njerëz të afërt, duke shpërfillur meritokracinë dhe duke shkelur mbi dinjitetin e të rinjve të shkolluar që prisnin një mundësi. Favorizimi i të afërmve, klientelizmi dhe kapja e institucioneve janë shndërruar në tiparin kryesor të qeverisjes së tij.

Në debate publike, Qemajl Aliu ka treguar se është i papërgatitur, i varfër në argumente dhe shpesh i paaftë për t’u përballur me faktet. Në vend që të ballafaqohet me kundërshtarët politikë me kulturë dhe logjikë, ai shmang çdo diskutim serioz. Një njeri që nuk ka fjalë, nuk ka as vizionin për të udhëhequr.

Pyetje që nuk mund t’i ikësh, Qemajl Aliu!

Çfarë ke bërë me muzeun e luftës? A e mban mend çfarë ke premtuar në fushatë? Ku janë ato zotime madhështore për ruajtjen e historisë, për nderimin e sakrificës, për përkujdesjen ndaj trashëgimisë kombëtare? Apo muzeu mbeti vetëm një slogan elektoral, një mashtrim i radhës për të marrë vota?

Çfarë ke bërë për 15 janarin e vitit 1999, për Masakrën e Reçakut? Përveç se shfaqesh në përvjetor, krekosesh para kamerave dhe e shndërron një ditë dhimbjeje kombëtare në spektakël politik, çfarë ke bërë realisht? Që kur erdhe në pushtet, pjesëmarrja është kthyer në ceremoni me ftesa – kush jeni ju që shpikni kritere të tilla? Kush jeni ju që e ndani popullin në “të ftuar” dhe “të paftuar” për një ditë që i takon çdo shqiptari? Ky është turp, është përbuzje e drejtpërdrejtë ndaj luftës dhe dëshmorëve të kombit.

Kush je ti që përdor disa individë servilë, të gatshëm për t’u nënshtruar, dhe i vendos mbi procese madhore të qytetit – në emërtime, vendime dhe projekte të rëndësishme? A nuk të vjen turp që e degradon qeverisjen e komunës në një lojë klienteliste, ku vendosin disa njerëz të dobët e të paformuar vetëm pse të shërbejnë ty? Kjo nuk është demokraci, ky është abuzim i pastër me pushtetin.

Dhe mbi të gjitha, si nuk të vjen turp të shtrish rrugë në prag të zgjedhjeve, në këmbim votash? A mendon vërtet se qytetarët janë verbuar e nuk e shohin këtë manipulim të ulët? Projekti që duhet të ishte i natyrshëm, i planifikuar dhe i zbatuar për të mirën e përbashkët, ti e kthen në mjet pazari elektoral. Ky është kulmi i hipokrizisë, pse shtron asfalte vetëm kur afrohet kutia e votimit.

Qemajl Aliu, për ty nuk duhet të ketë mandat të dytë – përveç nëse manipulon me votat. Sepse qytetarët nuk janë më ata që ishin dikur. Ata e dinë, ata e shohin, ata e kuptojnë lojën tënde. Dhe një herë mund të mashtrohen, por dy herë kurrë.

Prandaj, qytetarë të Shtimes, ju që e keni votuar herën e parë, mos bëni gabimin e dytë. Sepse ky gabim nuk do të falet – as nga e ardhmja e fëmijëve tuaj, as nga historia e qytetit. Shtimja meriton më shumë se kaq. Meriton drejtim me vizion, me dije dhe me përgjegjësi, jo një kryetar që e trajton pushtetin si pronë private.

Prandaj, votues anembanë Kosovës, hapni sytë: mos i jepni votën asnjë kryetari që shtron asfalt vetëm në fushatë, që i lë projektet madhore ti nis në vitin e fundit të mandatit, që e trajton pushtetin si instrument manipulimi. Ky nuk është zhvillim, ky është turp – turp për ata që e bëjnë, por edhe për ata që e shpërblejnë me votë.

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Zgjidhja nuk janë akuzat politike, por vetingu dhe sundimi i ligjit

Bashkimi Demokratik për Integrim e konsideron të papranueshme dhe të rrezikshme gjuhën populiste dhe sulmet …