Shefik Sadiku: ju propozojmë që të trajtoni edhe një herë problemin dhe të ndani pushtetin me marrëveshje politike, në të mirë të Kosovës dhe të popullit Shqiptarë

 Këshilli organizativ i Tryezës Politike në mes:
Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës,
Shoqëria Lëvizja,
Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së: Familjet e Dëshmorëve dhe Invalidët e luftës dhe;
Subjekteve Politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si:
Lëvizja Vetëvendosje,
Partia Demokratike e Kosovës,
Lidhja Demokratike e Kosovës,
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe
Nisma SocialDemokrate e Kosovës!
Dromca me material pune të Kryesisë së Shoqatave tona…
Shoqatat tona të shqetësuara nga zhvillimet e komplikuara aktuale politike e ekonomike në vendin tonë; si dhe me zhvillimet dramatike politike, ekonomike e ushtarake, në rajon e në botë, me luftëra të përgjakshme në afërsi, të shqetësuar për reflektimin e tyre ndër ne, organizojmë këtë “Tryezë politike”, në përpjekje për të parë më thellësisht dimensionin e tyre të gjithanshëm e ndoshta, si kontribut të duhur, për të gjetur përgjigje për sfidat me të cilat ballafaqohemi. Është vlerësim i përgjithshëm, në Perëndim e në Lindje, se situata globale politike është para një shpërthimi të “Luftës” Evro-Aziatike. Ku mund të përfdhihen edhe Trojet Shqiptare.
Urojmë që të gjitha të jenë gabim!
Jemi të vetëdijshëm se përgjegjësia kryesore, për zgjidhjen e ndjekjen e rrugës përballë sfidave aktuale dhe të pritshme, e kanë subjektet politike të Kosovës, që e udhëheqin vendin, në saje të votave të fituara nga populli, por kjo nuk na pengon, që të bëjmë analizën tonë, të shprehim brengën tonë, si njerëz që kanë dhënë shumë për këtë vend, që, t’i shikojmë e t’i themi gjërat nga këndvështrimi jonë.
Pse shprehni dyshime aq të mëdha ndaj njëri-tjetrit, sa ta përmbysni kupën, ta thyeni enën që ju mban, popullin dhe votën e tij demokratike?
Pyetja që bëhet më shpesh është:
Pse nuk gjendet një kompromis ndërmjet partive politike shqiptare?
Pse duhet të gjendet kompromis me partitë e elementit armiqësor të cilët janë në shërbim të shtetit të Serbisë, që natë e ditë punojnë për shkatrrimin e shtetit të Kosovës?
Pse me armiqtë e dëshmuar serbë të bëhet kompromis e me shqiptarët jo, mos janë shqiptarët më armiqë për veten e tyre se ish pushtuesit e serbisë?
(Këtu është fjala për partitë serbe që e kanë platformën e vjetër politike të serbisë pushtuese… e jo për pakicën serbe dhe pakicat tjera që e pranojnë Kosovën, Shtet).
As në horizont nuk mund të shquhet diçka e përafërt!!
Aq shpejt ta kemi harruar armikun tonë verior, që ka plane shtetërore për zhdukjen fizike të gjithë shqiptarëve, që tani mbulojnë edhe varrosin sërish krimet e shumëfishta gjenocidale, për t’i kthyer kriminelët shovinstë si viktima duke akuzuar e diskredituar në pseudogjykime jo vetëm personalitete politike e atdhetare, por edhe gjithë luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare me qëllim paralizimin e Republikës dhe sovranitetin shtetor dhe lirinë e fituar me aq vuajtje, sakrifica dhe lumej gjaku…
Lufta për pushtet po i nxehë gjakrat aq shumë, sa të humbet arsyeja?!
Të shkaktojë aq pezm sa të urrehemi me njëri-tjetrin deri në shkallë absurdi?
A duhet ta provojmë prapë, apo na rren mendja se në një luftë të re mund të hakmirremi dhe t’ua kthejmë shumëfish!
Mos u mashtroni, nuk ka çdo ditë bombardime të Beogradit dhe aleanca që vihen në anën tënde, siç u vunë një herë! Është e dëshirueshme, por akoma jemi shumë larg nga të qenit i barabartë në forcë, shumë larg!
Shikoni, për t’u kthjellur, Ukrainën!
Apo vatra tjera krize…
Shikoni, Shtetet Baltike, Poloninë e Moldavinë të cilave iu cënohet hapësira ajtore! Këto Shtete janë në ethe të luftës, ndërkaq, NE, në Kosovë dhe trojet Shqiptare bëjmë politikë duke e luftuar njëri tjetrin…për pak pushtet!
Çfarë mbetet trashëgim prej nesh për gjeneratat në ardhje, se më e madhe është urrejtja ndaj njëri-tjetrit se ndaj shkaktarit të mënxyrave tona, që na e mbollën si egjër në arë të grurit urrejtjen brenda Neve?!
Serbia i ka vrarë dhe i vret shqiptarët vetëm pse janë shqiptarë, jo se janë demokratë, socialdemokratë apo antidemokratë! Serbia e don Kosovën pa Shqiptarë!
S’ka asnjë lidhje me përkatësinë partiake të tyre a të qenët me pushtet a pa pushtet!
Vetëm rishikoni listën e të vrarëve në luftën e fundit, janë 15000 të vrarë civilë, gra, pleq, të rinj e fëmijë!!! Sa e sa dhunime…
Janë djegur të gjallë me mijëra veta, vetëm se ishin shqiptarë!
E janë të zhdukur edhe mbi 1500 Shqiptarë, civilë, gra, pleq, të rinj e fëmijë!!! T’iu shtohen edhe tre personalitete të politikës Kombëtare si: Ukshin Hoti, Xhavit Haziri dhe Hafir Shala.
Ky është absurdi që shkakton një mal me brenga ndër Ne, ndër masën e gjerë dhe duhet patjetër të gjendet rruga e duhur për kompromis për të tajkaluar situatën e rëndë politike në të cilën gjendemi.
Një kompromis ndërmjet juve dhe neve të gjithëve së badhku, bashkërishtë, na është i domosdoshëm për ta ruajtur shtetësinë tonë dhe për ta zhvilluar e ngritur në nivelet e dëshirueshme, sipas asaj motos së mirënjohur: “Rival politik jemi, por edhe vëlla më ke e vëlla të kam” dhe “vëllezër do mbetemi”!
Prandaj, ju propozojmë që të trajtoni edhe një herë problemin dhe të ndani pushtetin me marrëveshje politike, në të mirë të Kosovës dhe të popullit Shqiptarë.
I kemi dëgjuar deklarimet e të gjitha partive, por, për të zhvilluar një debat të hapur, kishim pasur dëshirë t’i dëgjojmë edhe një herë.
…Disa dromca me material pune të Kryesisë, të cilën e keni në dispozicion në formë të shkruar, pastaj, do të hapet diskutimi i pjesëmarrësve të Tryezës, në përpjekje për të gjetur zgjidhje për t’i vënë në funksion institucionet e Shtetit.
P.S. I falënderojmë Pjesëmarrjen e Televizioneve që shfaqën interesimin për ta përcjellë Tryezën Politike me Partitë Politike në ambientin e Shoqatës tonë!
(Ky material shkurtimisht u prezentua para mjeteve të informimit/disa Televizione, që ishin të interesuar ta përcjellin punën e Tryezës Politike me Subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, dhe të njëjtat nuk u paraqitën as fizikisht dhe as me shkrim për ta arsyetuar mos ardhjen e tyre)!

Kontrolloni gjithashtu

Imer Pantina: KOHË KUR ZJARRI I LIRISË KËRKONTE TË PËRZGJEDHURIT

 Sot, në përvjetorin e njëzet e shtatë kthehemi për pak çaste në kohën e lavdisë, …