Dy ministre belge në vizitë në Kosovë e Shqipëri, në fokus mbipopullimi i burgjeve dhe lufta kundër krimit të organizuar

Dy ministre të qeverisë belge — ministrja e Drejtësisë, Annelies Verlinden, dhe ministrja për Azil dhe Migracion, Anneleen Van Bossuyt — kanë nisur një vizitë tre-ditore diplomatike në Shqipëri dhe Kosovë, me synimin për të diskutuar çështjet e mbipopullimit të burgjeve dhe forcimit të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar. Sipas agjencisë Belga News, një nga temat kryesore të vizitës është shqyrtimi i mundësisë që Belgjika të marrë me qira ose të ndërtojë një institucion korrektues jashtë territorit të saj për personat e dënuar që nuk janë rezidentë belgë. Kjo ide synon të lehtësojë mbipopullimin kronik të burgjeve belge, që mbetet një problem i vazhdueshëm për sistemin penitenciar të vendit. Gjatë qëndrimit në Tiranë dhe Prishtinë, Verlinden dhe Van Bossuyt do të zhvillojnë takime me përfaqësues të qeverive respektive për të shqyrtuar zbatueshmërinë e këtij modeli. Ministrja Verlinden ka theksuar se kthimi i të dënuarve në vendet e origjinës do të siguronte zbatimin e drejtësisë dhe njëkohësisht do të ulte presionin mbi sistemin e burgjeve në Belgjikë. “Nëse ata që nuk kanë të drejtë qëndrimi në Belgjikë e vuajnë dënimin në vendet e tyre të origjinës, atëherë dënimi zbatohet siç duhet dhe lirohet hapësirë në sistemin tonë,” deklaroi ajo. Pjesë e agjendës është edhe nënshkrimi i një letre qëllimi për ndarjen e aseteve kriminale, që do të mundësonte kthimin e një pjese të të ardhurave të sekuestruara gjatë hetimeve të përbashkëta në buxhetin belg.

Kontrolloni gjithashtu

Përballja e parë për Prishtinën: vizione të kundërta mes Ramës, Ismailit dhe Shahinit për drejtimin e kryeqytetit

Në debatin e parë televiziv para zgjedhjeve komunale të 12 tetorit, zhvilluar në emisionin “Rubikon” …