Batalioni i manovrimit i Komandës Rajonale – Lindje të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ka zhvilluar një stërvitje shumëkombëshe për kontrollin e turmave dhe menaxhimin e situatave të trazirave, me qëllim forcimin e aftësive operative dhe koordinimit ndërmjet kontingjenteve aleate. Sipas njoftimit të KFOR-it, në këtë ushtrim morën pjesë trupa nga disa shtete aleate. Kontingjenti polak demonstroi aftësitë e tij në kapërcimin e pengesave, operimin nën presion dhe mbështetjen e procedurave të Asgjësimit të Municioneve Shpërthyese, si dhe ofrimin e kujdesit për të lënduarit. Ekipet amerikane asistuan në aktivitetet e EOD-së, ndërsa ushtarët letonezë ofruan mbulim ajror me dronë, duke dëshmuar nivel të lartë koordinimi dhe ndërveprimi midis njësive shumëkombëshe të KFOR-it. Në komunikatë theksohet se ushtrime të tilla janë thelbësore për forcimin e kohezionit, ndërveprimit dhe besimit të ndërsjellë, duke siguruar gatishmëri dhe efikasitet të trupave në mjedise të ndërlikuara sigurie. KFOR-i rithekson se misioni i tij mbetet i pandryshuar – zbatimi i mandatit të dhënë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1999) – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes në mënyrë të paanshme. “KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me EULEX-in, në përmbushje të roleve përkatëse të sigurisë,” thuhet në njoftim.