Skandal në Universitetin e Prishtinës: Fushata hyn në amfiteatër – UP-ja nderon Kurtin e Osmanin në mes të garës zgjedhore

Universiteti i Prishtinës po përballet me një valë kritikash të ashpra pas vendimit për të nderuar me çmimin “Alumni Nderi i UP-së” kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, në kulmin e fushatës zgjedhore.
Ngjarja, e paraparë të mbahet sot në orën 13:00 në Bibliotekën Qendrore Universitare, është cilësuar nga profesorë dhe opinion publik si shkelje flagrante e etikës akademike dhe komprometim i pavarësisë institucionale të universitetit më të madh publik në vend. Burime të “Nacionales” kanë siguruar një email zyrtar që këshilltari për komunikim i rektorit Arben Hajrullahu, Bekim Muhaxheri, ia ka dërguar RTK-së, duke kërkuar që ceremonia të transmetohet drejtpërdrejt.
Në këtë komunikim, përdoret gjuhë me tone militanteske, ku Kurti prezantohet si “Kryeministër i Kosovës”, ndonëse në realitet është “kryeministër në detyrë” – detaj që, sipas kritikëve, tregon qartë ndërthurjen e propagandës politike me komunikimin institucional universitar. Për më tepër, Universiteti ka dërguar edhe ftesa masive për studentët që të marrin pjesë në këtë ceremoni, duke e shndërruar një ngjarje që duhej të ishte simbolike dhe meritokratike, në një spektakël politik të orkestruar në prag të zgjedhjeve. Skandali thellohet edhe më shumë nga fakti se organizata që ndan çmimin – Shoqata Alumni e UP-së – rezulton pa bord drejtues funksional, pa drejtor të emëruar dhe pa legjitimitet vendimmarrës. Ish-drejtoresha e saj, Gjylbehare Llapi, ka konfirmuar për “Nacionalen” se “nuk e di kush po merr vendime aktualisht”, duke shtuar se bordit “i ka skaduar mandati” dhe se “vendimet i po i merr rektori me prorektoren, pa konsultim”. Ndërkohë, Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës për të sqaruar nëse ky vendim është marrë nga organet e universitetit apo është imponuar në mënyrë politike.

Kontrolloni gjithashtu

Gjykata speciale zgjat paraburgimin për Thaçin e të tjerët — vendim që shton dyshimet për drejtësi selektive

Gjykata Speciale në Hagë ka vendosur të vazhdonë masën e paraburgimit për ish-presidentin Hashim Thaçi …