Pesë ditë para zgjedhjeve lokale, qeveria në detyrë e Albin Kurtit ka miratuar vendimin për ndarjen e nga 100 euro për të gjithë studentët e Kosovës.
Kryeministri në detyrë tha se kjo është pjesë e ndarjes së rritjes ekonomike me qytetarët dhe se synon t’u lehtësojë studentëve fillimin e vitit akademik. Por fakti që vendimi vjen vetëm pak ditë para zgjedhjeve ka ngritur dyshime serioze për përdorim elektoral të fondeve publike. Opozita dhe njohësit e politikës e kanë cilësuar këtë si abuzim me buxhetin e shtetit për përfitim politik. Sipas tyre, një qeveri në detyrë nuk duhet të marrë vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në elektorat gjatë fushatës. Analistët paralajmërojnë se veprime të tilla dëmtojnë integritetin e procesit zgjedhor dhe barazinë politike. Kritikët theksojnë se ndarja e një pagese universale në prag të votimit është tentim për të ndërtuar imazh pozitiv të qeverisë përmes parasë publike. Në të njëjtën ditë, Kurti njoftoi edhe për bursën e mobilitetit për studentët, ndërsa opozita e quajti këtë “fushatë me fonde shtetërore”. Këto vendime, thonë ekspertët, përforcojnë dyshimin se struktura publike po përdoren për përfitime elektorale. Në Kosovë, praktika të tilla janë dënuar edhe më parë si shembuj të keqpërdorimit të institucioneve për qëllime politike.
