Tema të tjera...
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka konfirmuar se ekipi i FSK-së që hyri “gabimisht” në veri është kontaktuar dhe se po përgatiten masa të brendshme ndaj këtij incidenti. “Po, kemi kontaktuar, pasi janë pjesëtarët tanë që kanë ngatërruar rrugën. Do të sqarojmë të gjithë rastin se si ka ndodhur. Sa i përket masave, këto janë procedura të brendshme, sigurisht që ne jemi angazhuar për to dhe besoj se do të arrijmë tek pikat e duhura,” tha Jashari. Disa automjete të FSK-së hynë gabimisht në territorin e Mitrovicës së Veriut më 16 tetor, duke qëndruar aty për disa minuta. Prania e FSK-së në veri është e mundur vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it, sipas zotimit të vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi ndaj sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Ky angazhim mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së dhe procesit të transformimit të saj në ushtri të plotë, që pritet të përfundojë më 2028.