Fitim Selimi

Fitim Selimi: PDK PËRBALLË ANARKISË SË BRËNDSHME

Kur arbitrariteti zëvendëson garën dhe autoriteti strukturën rregullare.
Arbitrariteti, joformaliteti dhe vendimet jorregullare, të marra në kundërshtim me normat e rregullimit të brendshëm, po e çojnë Partinë Demokratike të Kosovës drejt çrregullimit dhe anarkisë organizative.
Ajo që dikur ishte parti me standarde të brendshme, me rend e hierarki të respektuar, sot po funksionon mbi baza personale e autoritare.
Ky anormalitet i rregullt është bërë pjesë e përditshme e PDK-së, sidomos pas mungesës së liderëve të saj kryesorë, të ndjekur padrejtësisht në Hagë. Në vend të reflektimit institucional e ringritjes morale, kemi parë sjellje autoritare, emërime të njëanshme dhe përjashtim të anëtarësisë nga proceset demokratike.
Përzgjedhjet dhe emërimet jashtë çdo procesi normal zgjedhor janë bërë praktikë e zakonshme. Organet drejtuese, që dikur mishëronin legjitimitetin dhe unitetin e partisë, prej kohësh e kanë humbur këtë përmasë. Në shumë degë, kryetarët janë emëruar pa asnjë procedurë zgjedhore, duke shënuar cenim të rëndë të vullnetit të anëtarësisë së gjerë dhe shkelje të parimeve themelore të demokracisë së brendshme.
Procesi i fundit zgjedhor, në vend që të shërbente për rinovim dhe konsolidim, iu nënshtrua plotësisht vullnetit autoritar nga lart, duke krijuar ndasi, mosbesim dhe një ndjenjë të thellë përjashtimi në bazë.
Kjo qasje, përveç se dëmton imazhin e PDK-së si subjekt serioz, rrezikon të provokojë reagim mbrojtës e përçarës në anëtarësi, e cila ndjehet e injoruar dhe e nënshtruar.
Shembulli i Ramiz Lladrovcit është mësimi më i mirë për pasojat që vijnë kur në një subjekt të ndërtuar mbi norma dhe rregulla, futet logjika e komandimit.
Një parti që është ngritur mbi sakrificën, garën dhe respektin për hierarkinë demokratike, nuk mund të mbijetojë nëse në vend të garës vendoset urdhri, nëse në vend të rregullit vendoset arbitrariteti, dhe nëse në vend të strukturës mbizotëron interesi personal.
Nëse dikush dëshiron ta rikthejë fuqinë dhe dinjitetin e PDK-së, duhet ta rikthejë rregullin, respektin dhe garën në çdo degë e forum të saj.
Për këtë janë të interesuar pasuesit dhe ndërtuesit e saj të devotshëm.
Për këtë, përsonalisht si njëri nga themeluesit e saj, jam thellësisht i interesuar!

Kontrolloni gjithashtu

Mr. Eroll Sejdiu: Të shkruajmë shqip

Prof. mr. Eroll Sejdiu: Ta duam dhe të punojmë për shqipen standarde

Gjuha shqipe është një nga pasuritë më të çmuara të kombit tonë. Ajo është jo …