Katër ditë pas nisjes nga trojet shqiptare, zhurma e motorëve me mbishkrimin “Liria ka emër” u dëgjua në rrugët e Hagës. Rreth 150 motoristë nga të gjitha viset shqiptare, të bashkuar në një marsh simbolik për drejtësi, mbërritën para qendrës së paraburgimit ku prej pesë vitesh po mbahen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Në krye të motoristëve ishte gjenerali Nasim Haradinaj, i cili u shpreh se kjo ishte një protestë simbolike por e fuqishme kundër padrejtësisë që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara. “Kemi kaluar pranë gjykatës ku po mbahet gjykimi, pranë dhomave ku qëndrojnë shokët tanë. Jam i bindur se bubullimat e motorëve i kanë dëgjuar edhe brenda. Kjo ishte një kurajo për ta”, tha Haradinaj. Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe deputetja Shqipe Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit, e cila gjendej në Hagë për ta vizituar atë. “Nuk mund ta përshkruaj emocionin. Njerëzit në rrugë na përshëndesnin, policët bënin shqiponjën me duar. Kishim pjesëmarrës nga Kosova, Finlanda, Gjermania, Zvicra, madje edhe motoristë jo shqiptarë që erdhën për të na mbështetur”, tha ajo. Një moment i veçantë u shënua edhe nga pjesëmarrja e profesores së njohur të Universitetit të Amsterdamit, Nevenka Tromp e cila iu bashkua karvanit për të shprehur solidaritetin e saj me kauzën e drejtësisë për UÇK-në. Në njërin nga motorët, simbolikisht, voziti vetë Nasim Haradinaj. Protesta në Hagë u shndërrua në një manifestim dinjiteti kombëtar, ku zëri i motorëve u bë jehonë e një thirrjeje të qartë: “Liria ka emër – dhe ajo është UÇK.”
