Ramush Haradinaj, ish-kryeministër dhe lider i AAK-së, mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Strategjisë, i organizuar nga Special Competitive Studies Project (SCSP), në panelin “From Conflict to Democracy”. Ai ndau me pjesëmarrësit historinë e Kosovës, duke filluar nga përpjekjet për liri deri te procesi i shtetndërtimit. Haradinaj theksoi rëndësinë e diplomacisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke e vendosur rrugën e Kosovës drejt pavarësisë dhe shtetndërtimit mbi vlerat perëndimore që udhëhoqën këtë proces. Ai kujtoi rezistencën paqësore në vitet ’90, Luftën Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve 1997–1999 dhe sulmet ajrore të NATO-s më 24 mars 1999, të udhëhequra nga SHBA-ja, që çuan në liri dhe pavarësi. Haradinaj nënvizoi se rrugëtimi i Kosovës nuk ka qenë i lehtë, por ishte i mundur falë mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë dhe aleatëve demokratikë. Ai theksoi gjithashtu se Kosova synon të avancojë me shpejtësi drejt integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian, duke kujtuar se liria fitohet me sakrificë, ndërsa shteti forcohet përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.
