Në studion e “Debat Plus” mbrëmjen e së hënës, debati politik mori kthesë të shëmtuar, kur analisti i Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja, goditi deputetin e PDK-së, Përparim Gruda, me aludime për familjen e tij. Pas shkëputjes së Grudës nga linja telefonike, Ramabaja u shpreh me nënçmim: “Veç duhet me na tregu ku i ka punu gjyshi këtij.”
Ky koment provokoi ndërhyrjen e moderatorit Ermal Panduri, i cili e riktheu deputetin në lidhje për t’i dhënë të drejtën e reagimit. Reagimi i Grudës ishte i prerë dhe e ekspozoi publikisht shpërfaqjen e ulët të analistit të LVV-së. Ai zbuloi se babai i tij është ndër të rënët e luftës së fundit në Kosovë dhe ka qenë mik i Adem e Hamëz Jasharit, ndërsa vëllai, në moshën 21-vjeçare, ka shërbyer si ushtar i UÇK-së. Sa i përket “aludimeve” të Ramabajës, Gruda sqaroi se gjyshi i tij ka jetuar dhe punuar thjesht në arat e Polacit dhe nuk ka asnjë lidhje me insinuatat e bëra në studio. “Unë kam dhënë gjakun e familjes sime për këtë vend. Të tentosh të më turpërosh sakrificën, nuk nderon askënd”, tha Gruda duke i drejtuar fjalën Ramabajës, i cili mbeti pa përgjigje. Ky incident ka ngjallur reagime për klimën e ashpërsuar politike dhe mungesën e etikës në debate, ndërkohë që Kosova përballet me krizën më të thellë institucionale të viteve të fundit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
