Thirrja e Osmanit për “kompromis politik” mes bllokadës që nuk po zhbllokohet

Presidentja Vjosa Osmani duket se ka vendosur të luajë rolin e ndërmjetëses në krizën e re institucionale, duke kërkuar nga partitë kompromis politik për të shmangur bllokadën e re parlamentare. Këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, tha se në konsultat me partitë politike do të kërkohet koordinim për miratimin e buxhetit të vitit 2026 dhe Planit të Rritjes, si dy dokumente që sipas Presidencës janë jetike për stabilitetin e shtetit. Mesazhi tingëllon i njohur dhe pak i vonuar. Derisa partitë prej javësh rrinë në pozicione të ngrira dhe qeveria e re ka dështuar të formohet, Presidenca përsërit thirrjet për bashkëpunim, pa marrë ende hapa konkretë për të shmangur ngërçin. Madje, partitë nuk janë as ftuar zyrtarisht në konsultime. Mes kërkesës për kompromis dhe realitetit të skenës politike ka një boshllëk të madh. VV po tenton një tjetër seancë për shumicë të pamundur, PDK e LDK kanë hequr dorë nga mandati, Nisma po i mbyll dyert përfundimisht dialogut me VV-në, ndërsa Presidentja apelon për qetësi në një situatë që po bëhet gjithnjë e më pak e qetë. Nëse Osmani kërkon përgjegjësi kolektive, atëherë edhe vetë Presidenca duhet të tregojë vendimmarrje më të qartë dhe rol më aktiv. Buxheti e Plani i Rritjes nuk miratohen me deklarata. Kompromisi politik nuk është vetëm kërkesë. Është aftësi për të zhbllokuar, jo për të vëzhguar bllokadën nga Presidenca.

Kontrolloni gjithashtu

Protestë në Strasburg për drejtësi ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Organizatat që përfaqësojnë kategoritë e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë paralajmëruar …