Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës , Memli Krasniqi, ka reaguar pas lajmit se Siria ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë si një sukses të rëndësishëm për shtetin dhe diplomacinë kosovare. Krasniqi ka shprehur mirënjohje për miqtë ndërkombëtarë që, siç tha ai, “vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës” dhe kontribuojnë në fuqizimin e pozitës së saj globale. “Siria ka njohur pavarësinë e shtetit tonë, duke e çuar në 120 numrin e njohjeve ndërkombëtare. Mirënjohje për miqtë tanë që vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës dhe për rolin e tyre në këtë proces,” – shkroi ai. Lideri i PDK-së theksoi se kjo njohje duhet të shërbejë si nxitje për një politikë të jashtme më aktive dhe bashkëpunuese, duke vënë në pah nevojën për diplomaci proaktive dhe vizion të qartë shtetëror. “Kosova ka nevojë për më shumë miqësi, më shumë diplomaci dhe më shumë besim në vetvete. Vizioni izolues duhet të marrë fund, dhe vendi ynë duhet t’i rikthehet politikës së jashtme aktive, bashkëpunuese dhe dinjitoze, në aleancë të plotë me partnerët tanë strategjikë,” – theksoi Krasniqi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
