Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka propozuar formimin e një qeverie kalimtare me mandat gjashtëmujor, duke theksuar se në këtë ekzekutiv duhet të përfshihen të gjithë liderët e partive parlamentare. “Mendoj që duhet të gjithë liderët e forcave parlamentare me qenë pjesë e një ekzekutivi gjashtëmujor, nuk është fundi i botës”, deklaroi Haradinaj. Ai shtoi se nuk po kërkon qeveri teknike, por një ekzekutiv të përkohshëm me figura civile të përgatitura dhe të kualifikuara që do të mund të menaxhonin vendin deri në zgjedhjet e reja. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shfaqur asnjë interesim për krijimin e qeverisë pas zgjedhjeve të fundit. “Nuk kemi kontakte, nuk kanë lyp kontakt. Nuk janë të interesuar të krijojnë qeveri, se po të ishin të interesuar edhe i kishin bërë numrat. Me sa po e shoh, këta nuk kanë pasur interes prej 15 prillit e deri sot”, tha Haradinaj. Ky propozim, sipas analistëve, shënon një ndryshim të dukshëm të qëndrimit të AAK-së, e cila deri më tani kishte kërkuar zgjedhje të menjëhershme, ndërsa tash po propozon një zgjidhje të përkohshme për daljen nga bllokada politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
