Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje për situatën politike në vend, duke e konsideruar atë një fatkeqësi për shtetin e Kosovës. Sipas Limajt, thirrjet e VV-së në emër të interesit nacional janë të pasinqerta, pasi janë të njëjtat që kanë bllokuar krijimin e institucioneve dhe funksionimin normal të shtetit për më shumë se tetë muaj. “Sot është fatkeqësi, një gjë që nuk duhej t’i ndodhte demokracisë dhe shtetit të Kosovës. Kjo është një tallje e hapur,” tha Limaj. Ai theksoi se, për të shmangur krizën e tanishme, partitë politike do të duhej të merrnin masa për të siguruar një buxhet dhe një qeveri të përkohshme me konsensus, duke respektuar shqetësimet e qytetarëve, veçanërisht të atyre që rrezikojnë mosmarrjen e pagave. “Ka hipokrizi të madhe në ata që bëjnë thirrje, gjoja në emër të interesit kombëtar, ndërkohë që vetë kanë bllokuar vendin për muaj të tërë,” shtoi Limaj. Ai akuzoi VV-në për lojë elektorale të paskrupullt, e cila, sipas tij, po dëmton seriozisht stabilitetin politik dhe ekonomik të Kosovës, duke pasur efekt direkt mbi qytetarët. Limaj përfundoi duke paralajmëruar se kjo situatë kërkon përgjegjësi dhe veprime reale, për të garantuar funksionimin normal të shtetit dhe respektimin e interesit të qytetarëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
