leoni

Mbi 300 punëtorë të N.P.L “Tregu” SH.A në Gjilan pa paga për 20 ditë, vonesat vazhdojnë

Mbi 300 punëtorë të N.P.L “Tregu” SH.A në Gjilan pa paga për 20 ditë, vonesat vazhdojnë prej muajsh

Rreth 300 punëtorë të N.P.L “Tregu” SH.A në Gjilan nuk kanë marrë pagën e muajit tetor, ndonëse tashmë kanë kaluar më shumë se 20 ditë nga afati i rregullt i pagesës. Përfaqësues të punëtorëve thonë se kjo situatë nuk është e re, pasi vonesat në ekzekutimin e pagave po vazhdojnë tash e rreth 10 muaj, ndërsa nga shtatori i vitit 2025 ato po tejkalojnë tri javë e më shumë.

Punëtorët teknikë të kësaj ndërmarrjeje ushtrojnë detyrat e tyre në mbi 10 institucione publike, përfshirë shkollat, QKMF-të, palestrën sportive, stadiumin, bibliotekën, Komunën e Gjilanit, si dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike, rrugëve dhe trotuareve.

Sipas kryetarit të Sindikatës së N.P.L “Tregu” SH.A, Nexhat Veseli, vonesat po ndodhin për shkak të mosmiratimit me kohë të buxhetit nga Kuvendi Komunal i Gjilanit. Ai thotë se ndonëse kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarin e Komunës, Alban Hyseni, problemi mbetet i pazgjidhur dhe tashmë përgjegjësia ka kaluar te institucionet qendrore.

“Ne nuk merremi me parti politike. Ne kërkojmë vetëm pagat tona, të cilat i fitojmë me mund dhe djersë. Punëtorët tanë nuk janë më në gjendje të sigurojnë ushqimet bazë për familjet e tyre,” deklaroi Veseli.

Ai i ka bërë thirrje ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, që të ndërhyjë urgjentisht për të gjetur një zgjidhje për këtë kategori punëtorësh.

Nëse situata nuk ndryshon, sindikata paralajmëron protesta dhe grevë të përgjithshme, siç e lejon ligji dhe statuti i shoqatës sindikale.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hajdari: Ndahet nga jeta luftëtari i UÇK-së, Rexhep Isuf Ibriqi

Organizatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Dega në Drenas, me …