Në kuadër të tematikës “Personalitete të shquara”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim postar emisionin e pullave postare dedikuar dy kontribuuesve të mëdhenj të kulturës dhe letërsisë shqipe për fëmijë, Rifat Kukaj dhe Ymer Elshani.
Rifat Kukaj u lind më 25 tetor 1938 në Tërstenik të Drenasit. Arsimin fillor e të mesëm i kreu në Drenicë dhe studimet e larta në Prishtinë. Punoi si mësues e drejtor në vendlindje, ndërsa nga viti 1963 u vendos në Prishtinë, ku punoi në Radio dhe në “Rilindja”. Ai ishte ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë për fëmijë, por edhe poet, skenarist, dramaturg e përkthyes.
Është i njohur për stil të thjeshtë, por të fuqishëm, që përmes simbolikës arrin të ndërtojë te lexuesi imazhin e një bote të brendshme përplot emocione të fuqishme. Përmes vargjeve të poezive të tij, të mbushura me ndjenja të thella, pasqyruese të realiteteve dhe sfidave të jetës, ai ka arritur të shprehë jo vetëm dhimbjen e individit, por edhe dashurinë për atdheun dhe për jetën.
Nga veprimtaria e begatshme e Rifat Kukajt po i listojmë disa vepra: “Xhuxhi nga Taxhuxhi” – dramë humoristike; “Lepuri me pesë këmbë” – skenar për film artistik; romanet: “Bardhi e Mirushja”, “Rrasa e zogut”, “Shkrepi i diellit”, “Vjollca magjike”, “Zogu i bardhë”, “Kokërrmeli e pilivesa” etj.; si dhe poezitë: “Në Hijen e Dajtit”, “Fshati i pishës”. Ai vdiq më 11 shtator 2005 në Ulqin, ndërsa u varros në vendlindje.
Ymer Elshani u lind më 14 qershor 1948 në Korroticë të Ulët të Drenasit. Pasi mbaroi shkollimin fillor në vendlindje dhe në Komoran, kreu Shkollën Normale, Fakultetin Filozofik dhe Magjistraturën në Prishtinë. Punoi një kohë si arsimtar i gjuhës shqipe në Komoran, më pas profesor e më tej drejtor në Gjimnazin “Skënderbeu” në Drenas. Krahas punës zhvilloi krijimtarinë si poet, prozator dhe kritik letrar.
Është autor i dhjetëra librave me poezi, tregime dhe romane, ndër të cilat një pjesë e konsiderueshme i kushtohet fëmijëve. Po ashtu njihet për aftësinë e tij për të pasqyruar kompleksitetin e njeriut dhe shoqërisë në një periudhë të trazuar, siç ishte lufta. Ndër veprat e tij më të njohura veçojmë: “Çka ëndërrojnë lulet”, “Plaku me violinë”, “Unaza magjike”, “Ndodhitë e hundëkarotës”, “Guri i çmueshëm”, “Rrugët e mërgimit” etj.
Në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, Ymer Elshani së bashku me familje bie martir. Ndërkaq pas luftës, 11 vëllime të mbetura në dorëshkrim, i botoi e bija e vetme e mbijetuar nga familja, Teuta Elshani.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
